Kancelarja gjermane Angela Merkel uron Kryeministrin Berisha për rizgjedhjen në këtë detyrë
Kryeministri Berisha ka marrë një mesazh urimi nga Kancelarja e Republikës Federate të Gjermanisë Angela Merkel, në të cilin shprehet:
“Shumë i nderuar zoti Kryeministër,
Ju përgëzoj përzemërsisht me rastin e rimarrjes së detyrës së Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë.
Ju jeni vënë në krye të kësaj detyre në një periudhë të rëndësishme për vendin Tuaj. Ne arritëm të realizojmë anëtarësimin e vendit Tuaj në NATO në muajin prill, pikërisht në kohën e organizimit të Samitit të NATO-s në Gjermani dhe Francë. Unë Ju uroj Ju dhe bashkëqytetarëve Tuaj të keni forca të mëtejshme për reformat e nevojshme në funksion të vijimit të suksesshëm të procesit të përafrimit euroatlantik. Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë fuqishëm Shqipërinë në këtë rrugë edhe në të ardhmen.
Ju uroj shumë fat dhe suksese në detyrën Tuaj të lartë dhe me shumë përgjegjësi.
Përshëndetje miqësore
Dr. Angela Merkel
Kancelare Federale e Republikës Federale të Gjermanisë”
25/09/2009