Kancelarja gjermane Merkel viziton sot Kroacinë

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, pritet të arrijë sot në Kroaci, ku do të takohet me zyrtarët e lartë të këtij vendi. Në axhendën e kancelares Merkel është takimi me presidentin kroat, Ivo Josipoviç, dhe me kryeministren Jadranka Kosor.
Mediat raportojnë se Merkel do t`iu kërkojë autoriteteve kroate të vazhdojnë reformat dhe masat kundër korrupsionit. Kroacia pritet t`i bashkohet Bashkimit Europian në verën e vitit 2013. Ndërkohë ndalesa e dytë e zonjës Merkel në Ballkan, do të jetë Serbia ku temë e diskutimit mes saj dhe liderëve serbë do të jetë Kosova.
Vizita e Merkelit do të jetë pak ditë para rifillimit të bisedimeve midis palës serbe dhe asaj kosovare, më 2 shtator, në Bruksel.
"Një nga detyrat e mia do të jetë të bind Serbinë se ajo duhet të rinisë dialogun me Kosovën", ka thënë Merkel në fjalimin e saj javor.
Mediat serbe kanë theksuar se gjatë vizitës së saj në Serbi, Merkel do të ushtrojë presion mbi liderët serbë që "të braktisin plotësisht Kosovën".