E Shtunë, 31 Tetor 2026

Enigma e përjetshme

Në shumë vitet që kanë kaluar që nga ajo natë qershori 1962, askush nuk ka raportuar që të ketë parë Frank Morrisin, John Anglinin, apo Clarence Anglinin. Ata mund të kenë mbijetuar burgut më të frikshëm në SHBA, Alcatrazit. Nga Express më 22 gusht 2011 në ora 07:29

Alkatrazi ishte një prej burgjeve më të frikshme të Amerikës, një fortesë e ngritur në një ishull shkëmbor, në Gjirin e San Franciskos. Uji i akullt i Gjirit ishte garancia më e mirë që askush nuk do të mund të arratisej. Dhe askush nuk arriti, deri më 11 qershor 1962. Atë natë, tre burra arritën të ikin nga qelia e tyre dhe u zhdukën në gji, me një trap të ndërtuar vetë. Frank Morris, truri i arratisjes, si dhe John Anglin dhe vëllai i tij, Clarence, nuk u panë kurrë më.

Më vonë, autoritetet zbuluan copa të trapit. Ishte shpërbërë në det. Të tre të dënuarit me sa duket kishin notuar. A ia kishin dalë mbanë? Debati vazhdon.

Philip Bergen, kapiten i rojeve në Alcatraz, nga viti 1946 deri në 1955, beson se mbijetesa ishte e pamundur: “Nëse do të hynin në ujë, do të mbyteshin për 30 minuta. Me siguri i ka kapur hipotermia dhe janë fundosur”. Por Patrick Mahoney, i cili drejtonte motobarkën që udhëtonte mes Alcatrazit dhe Steres ka disa dyshime. “Ndieja që nuk do t’ia kishin dalë mbanë, por mendova se do të gjenim ndonjë trup. Ne nuk gjetëm asnjë kufomë”.

Në shumë vitet që kanë kaluar që nga ajo natë qershori 1962, askush nuk ka raportuar që të ketë parë Frank Morrisin, John Anglinin, apo Clarence Anglinin. Ata mund të kenë mbijetuar Alcatrazit. Don DeNevi, një profesor në Kolegjin Merritt në Oakland, ka shkruar një raport në lidhje me arratinë bashkë me Clarence Carnes, një i burgosur në Alcatraz. Carnes mbërriti në Rock, kur ai ishte vetëm tetëmbëdhjetë vjeç dhe kaloi afro 20 vjet aty. Ai ishte një njeri i besuar i tre të dënuarve që u arratisën. Don De Nevi shkruan: "Carnes ishte i burgosuri më i rëndësishëm në Alcatraz. Ai kishte fituar respektin e pothuaj të gjithë të burgosurve të tjerë, sepse ai e dinte se si ta mbante gojën mbyllur. Ai ishte, në një kuptim, Padrino i Alcatrazit”. Carnes i tha De Nevit se plani për tu arratisur filloi me një të burgosur që quhej Allen West, i cili ishte caktuar për të lyer tavanin e qelive.

Ndërsa punonte, West zbuloi se me punë, ai ndoshta mund të kalonte përmes tavanit të qelisë deri në sistemin e ventilimit. Tubi i ventilimit ishte ndërtuar me shtylla të tërthorta brenda. Ishte e pamundur që të priteshin. Por West mendoi se në qoftë se ai do të shkëpuste të gjithë tubin nga mbështetësja e tij, mund të mbërrinte me lehtësi në çati. West kërkoi ndihmën e John dhe Clarence Anglin, të dy të dënuar për vjedhje banke dhe që kishin një histori arratish nga institucionet tjera. Sipas De Nevit, vëllezërit Anglin kishin disa aftësi të tjera të dobishme: "Anglinët ishin ekspertë në ndërtim trapesh, sepse ishin rritur në moçalet e Floridas. Ata dinin si ti ndërtonin, si të manovronin rrymave dhe ishin ekspertë në not”.

Figura qendrore në planin e arratisë ishte një i burgosur me emrin Frank Morris. Ish kapiteni i rojave në Alcatraz, Philip Bergen e përshkoi me një farë respekti: “Ai ishte një mendimtar. Çdo gjë e lidhur me këtë arrati ka dalë nga mendja e Frank Morris”.

Carnes i kishte treguar Morrisit për një korridor që përshkonte bllokun e qelive. Tubat e ngrohjes dhe ujit brenda korridorit formonin një shkallë drejt kullës së ajrosjes. Morris besonte se ai dhe të tjerët mund të gërmonin tejpërtej mureve të qelive të tyre drejt, këtij korridori të fshehtë, gjatë “orës së muzikës”. Bergen kujton këtë pjesë të përditshme rutinore në Alcatraz dhe shpjegon se si të arratisurit e shfrytëzuan atë: "Në pjesën e parë të mbrëmjes, ishte ajo që quhej "ora e muzikës”. Kushdo që kishte një instrument me tela mund të luante. Dhe kur luhej muzika, ajo kishte një efekt shurdhues tek oficeri që bënte inspektimin”.

Anglinët, West, Morris hapën secili nga një vrimë në mur në qelitë respektive. Të dënuarit menduan edhe një tjetër dredhi të shkëlqyer, në mënyrë që të mos ndihej mungesa gjatë apelit. Don Eberle, i cili kryesoi hetimin e FBI për arratisjen, e përshkroi kështu mashtrim: "Ata vendosën se duhej të bënin koka false, në rast se ndonjëri prej tyre nuk do të ishte kur të kalonte roja. Kjo do të ndodhte në një kohë kur dritat ishin të ulura, dhe kur do të qe e vështirë të shihje gjë tjetër përveç kokës”.

Për tetë muaj, Morris dhe vëllezërit Anglin linin qelitë e tyre natën për të shpuar në kullën e ventilimit dhe të mblidhnin gjërat që u duheshin për arratinë. Clarence Carnes, që pa shumë gjatë 18 viteve të tij në Acatraz, ishte i impresionuar me përpjekjet e tyre: Në dorëshkrimin e tij, Clarence Carnes shkruan: “Shumë herë gjatë viteve kisha takuar njerëz, të cilët ishin përpjekur të arratiseshin. Por e meta e tyre kish qenë se kishin planifikuar shumë pak dhe kishin qenë shumë të nxituar. Ata nuk kishin qenë të matur në planifikim dhe kjo i kish mposhtur. Por jo këtë herë”.

Në një vend të fshehtë pune, të mbuluar me batanije, Anglinët dhe Morris me radhë montuan një trap, duke përdorur edhe mushamatë e vjedhura. Kish ardhur më në fund koha e arratisë.

Krejt në heshtje, të burgosurit u larguan nga qelia për herë të fundit. Por menjëherë hasën problemin e parë. Allen West nuk ishte në gjendje të rrëshqiste përtej gropës, që kish hapur në murin e qelisë së tij. Të tjerët nuk ishin të gatshëm që të prisnin. Allen West, njeriu që kish përgatitur planin që në krye të herës, ishte lënë pas. Frank Morris dhe vëllezërit Anglin arritën të kalojnë të sigurt përtej qelive të tyre dhe të dalin në korridor. Që aty, u ngjitën nëpër tubat e ngrohjes drejt tavanit, hoqën tubat e ajrosjes që kishin përgatitur gjatë tetë muajve të fundit dhe dolën në tarracë. U drejtuan për nga deti. Një prej shumë problemeve që hasën të arratisurit ishte se si të frynin mushamatë e të nxirrnin në det mjetin e madh. Frank Morrisit i kish ardhur një ide gjeniale në mendje. Ai kish marrë një fizarmonikë të vogël, të njohur si koncertina, që e përdorte gjatë orës së përditshme të muzikës. Don Eberle, hetuesi i FBI, përshkroi më vonë se si qe përdorur instrumenti gjatë arratisë: “Ata kishin nxjerrë tastet jashtë koncertinës dhe kështu mund të fuste dorën në njërën anë të saj dhe ta shtyje lartë e poshtë. Kështu do të funksiononte tamam si një gjyryk”.

Edhe pse ngadalë, trapi nisi të fryhej. Kur ishte gati, të tre burrat e shtynë atë në ujë në bregun e Alcatraz dhe i hipën. Frank Morris, John Anglin, dhe Clarence Anglin kishin arritur të iknin nga ishulli. Kur arratia u zbulua më në fund, ajo shkaktoi një prej kërkimeve më të mëdhenj që kanë ndodhur ndonjëherë. Patrick Mahoney, një ish-roje në Alcatraz, ishte mes atyre që morën pjesë në kërkim: "Ne na urdhëruan të dilnim në gji dhe natyrisht, të fillonim të shikonim rreth ishullit. Dhe pastaj mbi Ishullin Angel, të kontrollonim plazhet për të parë nëse ndonjë gjë që u përkiste atyre kish dalë në breg. Që në fillim u bë e qartë se nuk do ti gjenim. Ia kishin dalë apo jo, këtë askush nuk e dinte me siguri".

Gjatë 24 orëve të para, ekipet e kërkimit u kthyen duarbosh. Pastaj, filluan të gjejnë copa të trapit të të arratisurve.

Disa, si hetuesi i FBI, Don Eberle, filluan të dyshojnë që të arratisurit kishin mundur të mbijetojnë: "Ndoshta koha më e hershme që kanë hyrë në ujë ka qenë 10:30. Zbatica filloi atë natë në orën dhjetë. Dhe ajo është shumë e fortë. Dhe unë jam i bindur që ata i ka marrë rryma drejt Oqeanit Paqësor”.

I burgosuri i Alcatrazit, Clarence Carnes pretendoi se disa javë pas arratisë, mori një kartolinë nga të arratisurit. Në të kishin shkruar porosinë e koduar, për të cilin ishin marrë vesh dhe që konfirmonte arratinë. Ai thoshte: “Kemi ikur të peshkojmë”. Carnes besonte se Morris dhe vëllezërit Anglin kishin pasur ndihmë nga jashtë, që ua kish mundësuar një i burgosur brenda.

Ndonëse burgu i Alcatrazit është mbyllur, arratia e famshme e qershorit 1962 vazhdon të më dyshë hetuesit. Në fakt, me kalimin e viteve, janë hetuar me mijëra pista, por më kot. A do të zgjidhet ndonjëherë kjo çështje legjendare?

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›