E Martë, 3 Nëntor 2026

Kanceri i gjirit prek dhe burrat/ Evidentohen dy raste në Fier, mjekët thirrje për kontrolle

Kanceri i gjirit prek jo vetëm femrat, por edhe meshkujt. Dy raste me masë tumorale të gjirit tek meshkujt janë evidentuar në Fier.

Nisur nga incidence e lartë e prekjes nga kanceri i gjirit, mjekja onkologe në Spitalin Rajonal Fier, Anisa Mone, është shprehur për kujdesin që duhet të tregojnë jo vetëm femrat, por edhe meshkujt, në mënyrë që ta kapin në kohë sëmundjen.

“Ekziston mundësia që kanceri i gjirit të prekë edhe meshkujt, por realiteti është 1 në 800 raste. Aktualisht në qytetin e Fierit janë dy pacientë meshkuj”, shprehet mjekja.

Teksa jemi në muajin tetor, i cilësuar si muaji sensibilizues për ndërgjegjësimin e grave dhe vajzave ndaj sëmundjes, thirrja e mjekëve është që të bëhen kontrolle të vazhdueshme.

“Thirrja ime është: Duaje veten tënde, kontrolloje atë. Shëndeti i mirë i gruas është shëndeti i mirë i gjithë familjes”, tha ajo.

Ndërkohë “Tetori Rozë” për drejtuesin e Shëndetit Shëndetësor Fier, Arbër Arapi ka sjellë një mobilizim të strukturave shëndetësore.

“Po bëjmë disa fusha sensibilizimi në rrethin e Fierit dhe tre bashkitë Fier, rroskavec dhe Patos. Kemi në dispozicion dhe tre mamografitë në këto bashkitë”, tha Arapi.

Këshilla e mjekëve është që kontrollet të bëhen jo vetëm përgjatë muajit tetor, por edhe në vazhdim, në mënyrë që kanceri të diagnostikohet në kohë dhe ë shpëtohen jetë.

Gazetar: Marjo Merhori

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›