E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kanceri i mushkërive, ekzaminime falas për duhanpirësit mbi 50 vjeç

Paketa pneumo-kardiologjike përfshin

1-Vizitë nga mjeku pneumolog dhe ai kardiolog

2-EKG dhe Spirometri (mat kapacitetin e pulmoneve)

3-Skaner i mushkërive dhe i zemrës

4-Konsultë vlerësuese e përfundimeve të ekzaminimeve

Shifrat alarmante të konsumit të duhanit në vendin tonë tregojnë për rritje të personave të prekur nga sëmundja e kancerit të mushkërive. Nga Organizata Botërore e Shëndetësisë evidentohet se duhanpirja është shkaktari kryesor për shfaqjen e sëmundjes së kancerit të mushkërive. Sot, mjekësia po tenton që pacientët të kryejnë ekzaminime në kohë, në mënyrë që kjo sëmundje të kapet në fazat e saj fillestare. Spitali Amerikan i Tiranës ka nisur një fushatë sensibilizuese për efektet e duhanit dhe kundër duhanpirjes. Paketa e kontrollit pneumologjik-kardiologjik që do t’u ofrohet falas personave mbi 50 vjeç të cilët konsumojnë duhan, do të zgjasë deri në fund të muajit dhjetor.

Fushata

“Fushata merr pikënisje nga incidenca e lartë e sëmundjeve të mushkërive ndër personat duhanpirës dhe dëmet serioze që shkakton konsumi i duhanit. Këto kanë qenë shtysa që ne do t’i kushtojmë rëndësi të veçantë kontrollit pneumologjik-kardiologjik falas deri në fund të muajit dhjetor”, - shprehet drejtorja e Marrëdhënieve me Publikun në AH znj. Ornela Doçi.

Sipas saj, grupi i mjekëve pneumologë dhe kardiologë pranë këtij spitali kanë hartuar një paketë ekzaminimesh që në fakt kalojnë kosto të lartë për secilin person, por që do t’u ofrohet falas këtij grupi pacientësh që ofrohen.

Si një ndër kategoritë më të rriskuara, 50-vjeçarët konsumues të duhanit, do t’u nënshtrohen një sërë ekzaminimesh. Diagnostifikimet që përfshin paketa e ofruar falas nga ky spital, përfshin vizitë nga mjeku pneumolog dhe ai kardiolog, EKG dhe Spirometri (mat kapacitetin e pulmoneve), skaner i mushkërive dhe i zemrës si dhe konsultë vlerësuese e përfundimeve të ekzaminimeve.

Lefter Ndrio, qytetar që u diagnostifikua shprehet: “Kam bërë edhe herë të tjera kontrolle, por kanë qenë vetëm vizita të thjeshta. Gjatë këtij kontrolli iu nënshtrova një ekzaminimi me skaner për mushkëritë dhe zemrën dhe një vizite shumë të hollësishme të kardiologut dhe pneumologut. Më vjen mirë që kisha mundësinë t’i kem këto shërbime në këtë nivel dhe për më tepër, falas”.

Skaneri

Mjekja radiologe, Iris Allajbeu, u shpreh për “standard” se pjesë e këtyre ekzaminimeve do të jetë edhe një prej aparaturave më të avancuara, skaneri me 64 detektorë. Sipas Allajbeut, ky aparat është i vetmi në vendin tonë i këtij lloji. “Përdorimi i Tomografisë së Kompjuterizuar Multidetektorë (skaneri MDCT) është mënyra më e mirë për të kapur sëmundjet pulmonare, kryesisht kancerin e mushkërisë, në fazë të hershme. Procedura është e shkurtër, rreth 20 sekonda”, - u shpreh mjekja radiologe, Iris Allajbeu.

Me skanerin me 64 detektorë mund të formohen pamje me tri dimensione dhe me matjet e detajuara merren të dhëna për zona të dyshimta të mushkërisë. Gjithashtu, e njëjta aparaturë do të skanojë zemrat e pacientëve për të matur sasinë e kalciumit ose atë që quhet kalcium score, në arteriet koronare të dhëna këto që tregojnë kalcifikimet në arterie, të shkaktuara nga duhanpirja.

Duhani

Shkakton 35 për qind të vdekjeve tek meshkujt

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në vitin 2006, 4.8 milionë persona kanë vdekur nga sëmundjet e shkaktuara nga duhani. Ky numër mendohet të arrijë në 10 milionë në vitin 2025. Gjithashtu, cilësohet se nga kjo shifër, 7 milionë persona u përkasin vendeve në zhvillim, si vendi ynë, dhe 25-30 për qind e personave që nga duhani vdesin më herët.

Mjekja pneumologe, Ortenca Rançi, pohon se “duhani është shkaku kryesor i 35 për qind të vdekjeve nga kanceri tek meshkujt dhe 15 për qind të vdekjeve tek femrat. Gjithashtu, ai është shkaku i 90 për qind të vdekjeve nga kanceri i mushkërive”.

Kanceri i mushkërive zë vendin e parë në vdekjet nga kanceri. Personat që pinë duhan, kanë një rrezik për kancer të mushkërive 20 herë më të madh sesa personat që nuk e pinë duhanin.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›