AMC, në mbrojtje të mjedisit, nis projektin “Riciklo tani”
AMC ka nisur projektin “Riciklo tani”, në kuadër të përkujdesjes për mjedisin. Ky projekt ka për qëllim reduktimin e sasisë së mbeturinave në mjedisin që na rrethon, duke u fokusuar në uljen e përdorimit pa kriter të lëndëve të para brenda kompanisë. Faza e parë e projektit do të përqendrohet në riciklimin e letrës nën moton “Ripërdor-Redukto-Riciklo”. Në kuadër të përgjegjshmërisë sociale, AMC u përmbahet politikave të saj për përdorimin e teknologjisë së gjelbër që nuk ka ndikime negative në mjedis. Për këtë arsye kjo kompani i ka kushtuar një vëmendje të veçantë riciklimit si një koncept thelbësor në mënyrën moderne të trajtimit që u bëhet mbetjeve. Riciklimi i letrës mbron pemët, nga të cilat vjen lënda e parë, energjinë dhe ujin që duhet për prodhimin e letrës. Vetëm 1 ton letër e ricikluar shpëton 17 pemë, kursen 31.070 litra ujë dhe 4.200 kwh energji. Ndërkohë që konsumi vjetor i letrës që përdoret brenda në AMC është 17 ton, 40% e kësaj sasie ose 6,8 ton hidhet dhe shpërdorohet. Sipas statistikave, AMC mund të kursejë çdo vit vetëm nga riciklimi i letrës që përdoret për printimin e dokumenteve, pa llogaritur letrën e përdorur për qëllime të tjera, 119 pemë, 217.00 litra ujë dhe 29.400 kwh. Koshat e riciklimit në të cilët do të grumbullohen letrat e formateve të ndryshme, fletëpalosje, gazeta, revista etj, janë vendosur në çdo zyrë dhe dyqan të AMC. Mjaft e rëndësishme për këtë projekt është ulja e sasisë së letrës së përdorur, shmangia e shpërdorimit si dhe ripërdorimi i saj. Punonjësit e AMC janë angazhuar maksimalisht për zbatimin e projektit ku kontributi i gjithsecilit është mjaft i dobishëm.
Projekti realizohet së bashku me fondacionin zviceran “Terres des Hommes”, në ndihmë të fëmijëve të komunitetit rom dhe egjiptian. Të ardhurat që do të përfitohen nga riciklimi do të përdoren pikërisht nga ky fondacion për arsimimin dhe nevojat e tjera të këtyre fëmijëve.
Projekti realizohet së bashku me fondacionin zviceran “Terres des Hommes”, në ndihmë të fëmijëve të komunitetit rom dhe egjiptian. Të ardhurat që do të përfitohen nga riciklimi do të përdoren pikërisht nga ky fondacion për arsimimin dhe nevojat e tjera të këtyre fëmijëve.