E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kandidat për deputet në Lezhë, Ndocaj: Vota e diasporës, mundësi për rotacionin politik

Ish-deputeti Eduart Ndocaj, aktualisht kandidat për Koalicionin Euroatlantik (KEA) në qarkun e Lezhës, shpreh bindjen se do të dalin fitues në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Duke u prezantuar si një alternativë ndryshe, “larg skemave klasike partiake dhe me fokus të qartë tek qytetari”, Ndocaj tregoi në studion e RTSH 24 sfidat që e kanë mbajtur vendin në vendnumëro, si dhe zgjidhjet konkrete që ai synon të ofrojë përmes angazhimit në Kuvendin e Shqipërisë.

“Koalicioni Euroatlantik është e vetmja shpresë për banorët e Lezhës. Nëse do të ishte në lista të hapura, ministri Ulsi Manja do të merrte vetëm votën e Pjerin Ndreut, që i bën fushatën në Lezhë. Por njëlloj është situata dhe në kampin tjetër, ku Agron Gjekmarkaj nuk ka asnjë lidhje me Lezhën. Këta kandidatë, që riciklohen nga kryetarët e tyre në qarqe të ndryshme, janë figura të djegura politike. Ndaj unë kandidova në Lezhë dhe nuk kam ndryshuar nga qarku im. E dua Lezhën. E dua Kurbinin. E dua Mirditën.”

I pyetur për mandatin e parë në 2013, kur Ndocaj u zgjodh deputet me siglën e Partisë Socialiste, ai tha se atëherë donte rotacionin dhe besonte te PS-ja, që tani, sipas tij, “është thjesht një klan që quhet Rilindje”.

“Atë kohë unë besoja fort tek rotacioni, sepse z. Berisha dhe z. Meta kishin ezauruar mundësinë që të ishin përfaqësues të qytetarëve pas videos ku Meta u kap me bllok në dorë duke vjedhur qytetarët. Ndaj në këto kushte, dëshira për rotacion dhe ndryshim politik ishte e madhe.”

Kandidati i KEA i bëri apel komunitetit të Lezhës që të votojnë për rotacionin për të dënuar klasën aktuale. Ndocaj shprehu bindjen se do e ketë votën e diasporës, duke veçuar bashkëpunimin me shqiptarët në Itali.

“Shpresoj se shqiptarët e Italisë dhe diaspora do më votojnë. Unë kam pasur një marrëdhënie pune në 25 vite biznes, që kam punuar me 30 mijë shqiptarë si biznes dhe jam plotësisht i bindur që këta qytetarë do mendohen dy herë kur të votojnë. Diaspora duhet të përfaqësohen nga këta emigrantë. Diaspora do të bëjë rotacionin e madh.”

Teksa sulmoi Berishën dhe Ramën për diskursin politik dhe dëmet ndaj vendit në kaq vite, Ndocaj theksoi se ata janë një e keqe që duhet larguar.

“Berisha ka në pushtet që në 92’ dhe nuk duhet të harrojmë që ai furnizoi makinë e luftës së Millosheviçit me naftë dhe ishte kundër Kosovës, madje bëri 1997, po të marrësh nekrologjinë e 21 Janarit apo Gërdecit. Por dhe z. Rama ka në pushtet që në vitin 2000 si ministër Kulture, më pas kryetar bashkie për disa mandate dhe tani prej 12 vitesh është kryeministër. Shqiptarët nuk duhet të votojnë me tifozllëk për këto dy parti.

Kam parë me trishtim si është bërë politika – e shkëputur nga realiteti, arrogante dhe e mbyllur në rrethin e saj të interesave. Shumë qytetarë më kanë thënë: ‘Na mungon zëri yt i drejtë.’ Dhe kjo më dha forcë të rikthehem. Nuk dua të jem as pjesë e pazareve politike, as i ndikuar nga oligarkët. Unë jam nga populli dhe për popullin.”

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›