Jozefina Topalli: Shqiptarët e Diasporës po votojnë kundër regjimit që i dëboi nga vendi i tyre

E deleguara politike për diasporën, Jozefina Topalli ka deklaruar se shqiptarët do të votojnë kundër regjimit të Edi Ramës që i largoi nga vendi i tyre.
Duke folur nga selia e Partia Demokratike, Topalli tha se shkelja e afateve dhe standardeve të përcaktuara me ligj “është një kërcënim serioz ndaj votës së shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë dhe, në këtë mënyrë, cenon rëndë integritetin e këtyre zgjedhjeve”.
“Por, duke thënë këtë, në të njëjtën kohë dua të përsëris mirënjohjen dhe respektin e thellë për të gjithë shqiptarët që, në mënyrë masive, po votojnë, po sakrifikojnë dhe po sfidojnë vështirësitë, edhe pse nuk e kishin për detyrim. Me votën e tyre, me zarfin që e dërgojnë në Shqipëri, ata duket se do të përmbysin regjimin që i përjashtoi, që i dëboi nga vendi i tyre”, u shpreh Topalli.
Ajo vuri në dukje se vota e diasporës në zgjedhjet e 11 majit është një ngjarje historike. Sipas saj, shqiptarët e diasporës do të votojnë për zgjedhjet parlamentare për t’iu kundërvënë dëbimit që u është bërë për vite me radhë.
“Shqiptarët po votojnë në një akt të fortë drejtësie, në një akt historik për t’iu kundërvënë dëbimit që u është bërë për vite me radhë, më shumë se një milion shqiptarëve, jo thjesht si emigrim ekonomik, por si një proces që ka marrë përmasa të një spastrimi etnik.
Nëse nuk ndalojmë këtë fenomen të dëbimit dhe largimit të shqiptarëve, shumë shpejt do të shndërrohemi në një vend azili për të moshuar, ndër më të vetmuarit në botë. Ne, shqiptarët brenda kufijve të Shqipërisë, por edhe ata jashtë saj, nuk duhet dhe nuk do të lejojmë kurrë që të humbasim vendin dhe kombin tonë për shkak të interesave të ngushta, arrogancës apo frikës së dikujt që kërkon vetëm të mbajë pushtetin”, ka theksuar Topalli.
/rtsh.al/