E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kandidatët do të përzgjidhen nga pikët e konkursit special

04/06/2010 Studimet e larta në akademitë sportive dhe artistike

Aplikimet për ndjekjen e studimeve të larta në një nga akademitë sportive, artistike apo llojet e tjera profesionale nuk do të kushtëzohet me dhënien e provimeve me zgjedhje, por me zhvillimin e konkursit special, që do të zhvillohet gjatë muajit korrik. “Kandidatët që duan të vazhdojnë studimet vetëm në programet e studimit në Akademinë e Arteve të Bukura, Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve, në programin e studimit të edukimit fizik në Universitetin ‘Luigj Gurakuqi’ në Shkodër, si dhe në programin e studimit të edukimit fizik në Universitetin ‘Aleksandër Xhuvani’ në Elbasan mund të konkurrojnë në këto struktura publike të arsimit të lartë pa qenë të detyruar të japin provimet me zgjedhje, por këta kandidatë duhet të plotësojnë formularët përkatës sipas rastit”, - përcaktohet në rregullore. Nxënësit që duan të aplikojnë në këto degë, duhet të marrin detyrimisht notë kaluese në të dy provimet e detyruara: atë të matematikës dhe të letërsisë. Më pas do t’u nënshtrohen rregullave të veçanta të konkursit, që do të zhvillohet gjatë muajit korrik. Këto rezultate do të kenë edhe peshën maksimale në përzgjedhjen e kandidatëve fitues përkundrejt kuotave të pranimeve që do të përcaktohen. Zhvillimi i konkursit dhe nxjerrja e rezultateve të konkursit do të bëhet para plotësimit të formularit A-2. Në këtë mënyrë nxënësit do të kenë vetë mundësi që të bëjnë përllogaritjet se sa pikë mund të fitojnë gjithsej për të renditur saktë degët ku kanë më shumë probabilitet për t’u shpallur fitues.

Korrigjimi

Sipas skemës së vlerësimit të përcaktuar për pyetjet me zgjedhje, përgjigjja e saktë vlerësohet me 1 pikë. Ndërsa për pyetjet me zhvillim përgjigjet konsiderohen orientuese dhe në skemë parashikohen variantet e mundësive të përgjigjeve të nxënësve. Për rastet kur përgjigjja e nxënësit nuk përshtatet plotësisht me përgjigjen në skemë, por afron me logjikën e saj, komisioni i vlerësimit këshillohet me drejtuesin teknik dhe specialistin e Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve për vlerësimin përfundimtar të pyetjes. Specialistët kanë pohuar se saktësia gjuhësore ndikon negativisht në vlerësimin e nxënësit në ato raste kur ka përsëritje të theksuar gabimesh ose gabime që prishin në mënyrë të vazhdueshme kuptimin e shprehjes

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›