E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhepa: Është koha për të ulur normën e interesit

04/06/2010 Deputeti i PD, Selami Xhepa, sugjeron marrjen e një vendimi nga Banka e Shqipërisë

Ky ndryshim do të lehtësojë së pari kostot e borxhit publik të qeverisë

Është koha për të ulur normën e interesit. Ky është sugjerimi që bën Bankës së Shqipërisë deputeti Selami Xhepa, i cili mendon se situata e inflacionit në vend e mundëson këtë operacion. Ulja e normës bazë të interesit do të lehtësonte në radhë të parë kostot e borxhit publik të qeverisë. "Gjendja e ekonomisë së vendit kërkon ndoshta disa masa stimuluese në anën e politikës monetare, mendoj që do të ishte i drejtë. Për më tepër që besimi dhe konfidenca e publikut shqiptar në sistemin e vetë bankar mendoj që është goxha e admirueshme. Kemi një rikthim të ndjeshëm të depozitës në sistemin bankar, që do të thotë që konfidenca është e rikthyer tashmë në sistem, dhe nuk kemi rrisqe që lidhen me çështje të stabilitetit financiar", tha Selami Xhepa, deputet PD. Por për ish- zv/ministrin e Financave, ulja e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë do të ishte një lehtësim edhe për vetë sistemin bankar, i cili po përballet me rritje të kredive me probleme. "Do të ishte e rëndësishme për vetë bankat një ulje e normës së interesit, për arsye se bankat natyrisht që kanë pasur një rritje të portofolit të kredive të pakthyera në afat dhe një ulje e normës së interesit natyrisht që do të ndikonte dhe në tregun ndërbankar, në huadhënien e parave në tregun ndërbankar. Pra, do të ulte koston e marrjes së parasë nga vetë sistemi bankar, mendoj që në përgjithësi shoqëria do të ishte më mirë duke pasur një normë interesi më të ulët për lekun", vijoi Xhepa. Aktualisht norma bazë e interesit është 5.25 për qind dhe gjatë vitit 2010 banka e Shqipërisë nuk e ka ndryshuar asnjëherë atë. Ndërkohë gjatë vitit 2009 janë bërë dy ndërhyrje në muajt janar dhe tetor me të cilat norma bazë është ulur me 0.5 pikë të përqindjes. Sipas të dhënave më të fundit të Bankës së Shqipërisë, rezulton se për tre muajt e parë të vitit 2010 interesat e kredive të reja në lekë, kanë ardhur në rritje, duke arritur në normën 12.66 për qind në muajin mars. Që nga dhjetori i vitit 2009, normat e interesit të kredive në lekë janë rritur me 0.6 pikë përqindjeje.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›