E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kandidatët, përfaqësim sa më të mirë të minorancave

01/03/2011  Kryeministri premton zona të lira për aleatët, atje ku ndihen të sigurt

Berisha: Brenda 10 ditëve emrat e garuesve për të gjithë bashkitë

Partia Demokratike do të hyjë në zgjedhjet vendore të 8 majit në koalicion me partitë e tjera, duke synuar për koalicionet më të gjëra dhe më të mira të mundshme. Ndërsa përzgjedhja e kandidaturave të Partisë Demokratike për zgjedhjet vendore të 8 majit do të përfundojë brenda dhjetë ditëve të para të muajit mars, ku deputetët së bashku me kryesitë e degëve dhe të gjitha strukturat zgjedhore të PD-së do të zgjedhin kandidatët më të mirë. Porositë u dhanë nga kryeministri, njëkohësisht kryetar i PD-së, Sali Berisha në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Duke i cilësuar zgjedhjet lokale të një rëndësie shumë të madhe për qeverisjen e vendit, pasi qeveritë vendore janë qeveritë direkte të qytetarëve, kryeministri u shpreh se këto zgjedhje janë gjithashtu edhe përgjigja më e mirë ndaj opozitës. “Ne duhet të paraqesim para shqiptarëve kandidatët më të mirë, burra dhe gra, djem dhe vajza me reputacionin më të mirë në komunitetin ku jetojnë dhe aftësitë drejtuese më të mira. Këto zgjedhje kanë një rëndësi shumë të madhe për qeverisjen e vendit, sepse qeveritë vendore janë qeveritë direkte të qytetarëve, por këto zgjedhje gjithashtu janë përgjigja më e mirë, më demokratike, më kushtetuese, që mund tu jepet të gjithë atyre që, duke mos marrë rezultatin që dëshirojnë, bënë çdo gjë për të shkelmuar mbi votën e shqiptarëve”, - tha Berisha në fjalën e tij. Në këtë kontekst ai ka theksuar se përzgjedhja e kandidaturave do të përfundojë brenda dhjetë ditëve të para të muajit mars. Kryeministri theksoi se në këto zgjedhje duhet bërë çdo përpjekje për të rritur përfaqësimin e grave në qeverinë vendore, duke u mbështetur në meritën dhe integritetin e gjithsecilës kandidaturë. “Ftoj strukturat drejtuese të PD-së të shqyrtojnë me sensin e plotë të përgjegjësisë dhe sensin e plotë të barazisë mbështetjen e kandidaturave të zonjave dhe zonjushave, në përputhje me meritën, por nuk duhet që në asnjë rast, në asnjë rrethanë që ata të spostohen për shkak të patriarkisë dhe të qëndrimit të bazuar në patriarkinë”, - tha kreu i qeverisë shqiptare. Në vijim të çështjeve që kryeministri solli në vëmendjen e deputetëve të tij përmendi edhe problemin e koalicioneve, duke u kërkuar të gjitha strukturave të partisë të dëshmojnë gatishmëri të plotë për koalicionet më të mira të mundshme. “Është jashtëzakonisht e rëndësishme që ne tu ofrojmë qytetarëve vlerat më të mira të komuniteteve të tyre dhe tu garantojmë se ato kanë një shpërndarje në të cilën sigurisht që PD-ja ka përqindjen e vet më të madhe, por jo gjithçka. Është e domosdoshme që të ketë një përfaqësim sa më të mirë të të gjitha minorancave, të çfarëdolloj natyre që ato do të jenë. Qeverisjet vendore duhet të kenë zërin e tyre të përfaqësimit, minorancat e çdo natyre që janë”, - tha lideri i partisë më të madhe të maxhorancës.

Autostrada

Kryeministri u ndal edhe te projekti më i rëndësishëm i infrastrukturës publike, që është ndërtimi i autostradës Tiranë–Elbasan, ku më 3 mars, datë kur hapen ofertat ekonomike, i hapet rrugë edhe realizimit brenda 18 muajve të këtij projekti, që shkurton distancat me qytetin e Elbasanit. Projekti mendohet të inaugurohet në fillim të vitit 2013 dhe Berisha ftoi edhe grupin “antitunel” për të marrë pjesë në inaugurim.

Obelisku

Kreu i ekzekutivit i kërkoi ministrit të Kulturës që të hapë konkursin për ndërtimin e një obelisku në nderim të 22 intelektualeve të vrarë 60 vjet më parë pa gjyq nga regjimi i Enver Hoxhës. Ndërsa Institutit të Studimeve dhe Krimeve të Komunizmit i kërkoi të përgatisë dosjet mbi bazë të dokumenteve për tia dërguar Prokurorisë për hetimin e kësaj masakre kundër njerëzimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›