E Shtunë, 31 Tetor 2026

Garda dorëzon 25 armë të tjera

01/03/2011  Fillon riekspertimi i automatikëve MP-5 dhe 25 armëve të reja të dorëzuara në Prokurori

Tre vrasje ende pa autor, shpresa e vetme tek ekspertizat. Diskutohet për pamjet satelitore

TIRANE-Pas shumë kërkesave, më së fundi komanda e Gardës së Republikës ka vënë në dispozicion 25 armë të reja, të cilat do i nënshtrohen ekspertizave balistike dhe krahasimeve të ndryshme. Armët janë marrë dje në dorëzim nga hetuesit e Prokurorisë së Tiranës, të cilët mësohet se kanë dorëzuar disa automatikë të sekuestruar ditët e para të ngjarjes dhe më pas kanë tërhequr nga garda 25 automatike të tipit MP-5. Mësohet se nga 51 armët që i janë nënshtruar ekspertimit balistik, pothuajse gjysma e tyre do t’i nënshtrohet procedurave të riekspertimit, ndërsa pjesa tjetër i është dorëzuar komandës së Gardës së Republikës. 25 automatikët e rinj, si dhe armët që do i nënshtrohen riekspertimit, do këqyren nën asistencën e specialistëve shqiptarë dhe atyre të FBI-së, të cilët janë duke asistuar prej tre javësh në laboratorin e policisë shkencore. Shpresohet që pas përfundimit të ekspertimit të 25 armëve, Prokuroria të bjerë në gjurmët e autorëve të tjerë që dyshohet se kanë kryer katër vrasjet dhe 7 plagosjet në demonstratën e dhunshme të 21 janarit. Aktualisht, Prokuroria ka prova bindëse vetëm për një vrasje, atë të Zivër Veizit ku ka arrestuar gardistin Agim Llupo, ndërsa për sa i përket tre vrasjeve të tjera si Faik Myrtos, Aleks Nikaj dhe Hekuran Dedës, organi i akuzës ende s’ka drejtuar gishtin në asnjë prej efektivave të Gardës. Pas ekspertimit të plotë të armëve të Gardës dhe analizimit të gjithë provave të administruara në dosjen “21 janari”, grupi i hetimit pritet të dalë në një konkluzion përfundimtar mbi këto tre vrasje. Ndërkohë gjatë analizimit të çështjes me ekspertët amerikanë, është diskutuar që ngjarjet e dhunshme të 21 janarit të rishihen dhe njëherë tjetër nëpërmjet pamjeve filmike, ku këtë herë mendohet se do vihen në dispozicion pamjet e filmuara nga sateliti. Nuk dihet me saktësi nëse një gjë e tillë do të ndodhë, por burime pranë organit të akuzës shtojnë se autoritet amerikane kanë mjetet e nevojshme, për të vënë në dispozicion këto filmime. Në demonstratën e 21 janarit humbën jetën katër persona dhe shumë të tjerë u plagosën rëndë, mes tyre efektiva të policisë dhe Gardës së Republikës. Lidhur me këtë ngjarje Prokuroria është duke hetuar në disa pista, ku për secilën prej tyre është ngritur një grup hetimor që kryen veprime në terren, por dhe në gjykatë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›