E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kandidati i “Bashkë Fitojmë” për Vlorën, Hysni Sharra tregon platformën elektorale: Rikthejmë në identitet historinë e qytetit

Kandidati i opozitës për Bashkinë e Vlorës, Hysni Sharra tregon në një intervistë për RTSH pikat e forta të platformës së tij elektorale.

Në një intervistë për gazetaren Sonila Agostini, Sharra thotë se në Vlorë, në 14 maj do të ketë rezultat surprizë, ndërsa premton rikthimin e administratës lokale në shërbim të qytetarëve.

Teksa akuzon qeverisjen e deritanishme si të korruptuar, Sharra premton se nëse qytetarët e Vlorës i besojnë votën, ai do t’i rikthejë në identitet qytetit “kulturën dhe historinë”.

“Jemi përballë një propagandë, por Vlora nuk është vetëm Lungomare, ku ujërat e zeza derdhen në det. Ne do kemi kujdes maksimal ndaj mjedisit, çfarë shkon mirë ne do ta mbajmë dhe do ta përmirësojmë. Do dëgjohet opinioni i komunitetit. Sheshin e Flamurit do e kthejmë në identitet. Sheshin para bashkisë që i kanë vendosur një mostër përpara, kemi edhe aferën korruptive të Portit të Vlorës ku me fondet publike janë shpronësuar biznese e familje dhe trojet i jepen oligarkëve të radhës. Do rikthejmë në identitet historinë dhe kulturën e Vlorës”, tha Sharra.

Në zgjedhjet e 14 majit në garë për të marrë drejtimin e bashkisë së Vlorës përballë kandidatit Hysni Sharra është kandidati i Partisë Socialiste Ermal Dredha.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›