Përcaktohen dhe detajohen rregullat për organizimin e punës në Vendin e Numërimit të Votave

Në kuadër të zgjedhjeve vendore të 14 majit 2023, Komisioni Rregullator miratoi të martën projektvendimin “Për organizimin e punë në Vendin e Numërimit të Votave, radhën e veprimeve gjatë dorëzimit të materialeve zgjedhore, numërimit të votave dhe nxjerrjes së rezultatit të zgjedhjeve për Zonën e Administrimit Zgjedhor, për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore”.
Sipas informacionit për shtyp, në vlerësim të rëndësisë së organizimit të punës në Vendin e Numërimit të Votave, radhës së veprimeve gjatë dorëzimit dhe numërimit të votave për nxjerrjen e rezultatit të zgjedhjeve, vendimi përcakton dhe detajon rregullat për organizimin e punës në Vendin e Numërimit të Votave, radhën e veprimeve gjatë dorëzimit të materialeve zgjedhore, numërimit të votave dhe nxjerrjes së rezultatit të zgjedhjeve për Zonën e Administrimit Zgjedhore.
Çfarë janë Vendet e Numërimit të Votave (VNV)?
Ndryshimet e bëra në Kodin Zgjedhor në Korrik 2020 ngritën pragun minimal të numrit të votuesve të nevojshëm për të krijuar një qendër të veçantë votimi, e cila rezultoi në bashkimin e 355 qendrave të votimit.
Numërimi kryhet në 92 Vende të Numërimit të Votave (VNV) nën mbikëqyrjen e KZAZ-së përkatëse. Çdo KZAZ cakton një Grup të Numërimit të Votave (GNV) për të kryer numërimin brenda njësisë përkatëse administrative.
Çdo GNV përbëhet nga numëruesi i parë, sekretari dhe dy anëtarë, dhe mbulon nga pesë deri në dhjetë qendra votimi.
/rtsh.al/