E Diel, 1 Nëntor 2026

Kandidati i PS hyri në qendrën e votimit dhe shkaktoi tension, rinis votimi në Tregan

Procesi i votimit ka rinisur në qendrën e votimit në njësinë administrative Tregan, por atmosfera është tensionuar pas një incidenti që përfshin kandidatin për deputet të Partisë Socialiste, Mustafa Çoha.

Sipas burimeve nga vendngjarja, Çoha ka hyrë brenda ambienteve të qendrës së votimit, një veprim që është kundërshtuar menjëherë nga komisionerët e Partisë Demokratike, të cilët e kanë konsideruar të papranueshëm dhe në shkelje të rregullave zgjedhore.

Pas konstatimit të pranisë së tij, komisionerët e PD kanë kërkuar largimin e kandidatit, i cili është nxjerrë jashtë ambienteve të votimit, por ka vijuar të qëndrojë pranë saj. Prania e tij jashtë qendrës ka përshkallëzuar konfliktin verbal mes përfaqësuesve të dy forcave politike.

Situata ka sjellë tension të përkohshëm në zonë, ndërsa nuk raportohet për ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet deri në këto momente. Procesi i votimit ka vijuar më pas, megjithëse nën një atmosferë të tendosur.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›