E Diel, 1 Nëntor 2026

Kandidati i PS-së, Koço Kokëdhima nuk lejohet të votojë

SARANDE- I shumëpër foluri dhe i shumësulmuari nga e djathta, kandidati për deputet i PS-së, Koço Kokëdhima, i cilësuar shpesh nga Berisha si “shofer i autobusit mavi”, nuk është lejuar të votojë në zonën e tij ditën e djeshme.

“Dëshiroja të merrja sadisfaksionin që t’u bashkohesha votuesve të Sarandës, siç kam qenë bashkë me ta në këtë fushatë zgjedhore, por nuk u lejova”, shprehet Kokëdhima. Ai ka treguar se si komisionerët e qendrës së votimit i kanë refuzuar vazhdimin e procedurës për votim që nga momenti që ata nuk kanë gjetur emrin e tij dhe të bashkëshortes Brixhida në listat e zgjedhësve të kësaj zone.

Pas shpjegimeve të dhëna nga komisionerët është larguar nga qendra e votimit, pa debatuar, por edhe i keqardhur për pamundësinë e ushtrimit të së drejtës së votës. Në një prononcim për mediat Kokëdhima tha se kjo pamundësi është handikap i ligjit zgjedhor, që duhet të ndryshojë për zgjedhjet e ardhshme. Sipas tij, ligji duhet të mos bëhet pengesë, përkundrazi duhet t’i japë mundësi kandidatit dhe familjarëve të tij që të votojnë në zonën ku kandidojnë, pavarësisht nga vendbanimi i tyre i përhershëm.

Kokëdhima argumenton se, për shkak të angazhimeve të fushatës elektorale, por edhe për shkak të detyrimeve dhe përkushtimit të kandidatëve dhe familjarëve të tyre ndaj zgjedhësve të zonës përkatëse, ata e kanë të pamundur dhe të pakuptimtë që të votojnë sipas regjistrimit të gjendjes të vendbanimit të tyre të përhershëm. Person tjetër që nuk është lejuar të votojë ka qenë edhe motra e kryebashkiakut të Sarandës, Stefan Çipa, shkak ka qenë pasaporta e saj e vjetër dhe jo biometrike, siç e kërkon ligji.

(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›