E Diel, 1 Nëntor 2026

Kandidati per kryebashkiak në Tiranë Lulzim Basha komunikon me zgjedhësit në Facebook

06-05-2011 / Gazeta 55

Mbështetja për Bashën në rrjetin social arrin në 279 mijë persona


Lulzim Basha vendos një nivel të ri komunikimin me qytetarët në këtë fushatë elektorale. Përveç bashkëbisedimit të drejtpërdrejtë në çdo cep të Tiranës, Basha ka zhvilluar edhe dy komunikime ‘live’ me qytetarët përmes rrjetit social Facebook. Në komunikimin e fundit në këtë rrjet social, ku mbështetja për Lulzim Bashen ka arritur mbi 278 mijë persona, për më shumë se një orë, kandidati për kryebashkiak u është përgjigjur pyetjeve lidhur me taksat, çmimet, politikat zhvillimore të Tiranës, strehimin, transportin publik etj. Ashtu si në Facebook edhe në takimet e zhvilluara drejtpërdrejtë, Lulzim Basha ka arritur në shifra rekord të mbështetjes nga të rinjtë.


Çfarë do të bëjë z. Basha si kryetar bashkie, për strehimin e të pastrehëve? Kam dëgjuar për programin tuaj dhe ndihmën që do t’u jepet çifteve të reja. Si do të jepet kjo ndihmë?


Së pari, nëpërmjet një fondi special të bashkisë për zbutjen e kredive për çiftet e reja. Një tjetër drejtim shumë i rëndësishëm është ai i banesave sociale. Unë jam i vendosur që territoret publike të qytetit të Tiranës, që janë të shumta, t’i vë në dispozicion të qytetarit të Tiranës. Ne do të ndërtojmë brenda katër viteve të ardhshme 1000 apartamente sociale.


Një problem tejet shqetësuese për mua si qytetare e Tiranës, është transporti publik. Dëshiroj të di se si e mendoni ju rregullimin e këtij problemi...


Jam i përkushtuar për tramvajin, dhe do të nis brenda 12 muajve të parë, me përfundimin e planit urbanistik, punën për linjën Kinostudio-Kombinat, sepse një linjë e dedikuar me kapacitete të larta, do të bëjë të mundur, jo vetëm transportin me cilësi më të mirë dhe me komoditet të qytetarëve në këtë linjë dhe më vonë në linjën tjetër, por do të konkurrojë denjësisht dhe do të bindë më shumë qytetarë që të lenë mjetet e tyre private dhe t’i drejtohen këtij mjeti, se do të lëvizin më shpejt, do të lëvizin më cilësisht në rrugët e qytetit. Në të njëjtën kohë, rrjeti i transportit publik duhet të jetë  i integruar. Shërbimi me autobusë duhet të shtrihet në të gjithë qytetin dhe të shërbejë njësoj si në periferi dhe në qendër dhe cilësia e tyre nuk duhet të jetë variabël i fushatave elektorale. Standardet minimale të shërbimit të autobusëve të Tiranës do të përcaktohen dhe do të ndiqen rigorozisht. Autobusët që nuk janë të përshtatshëm për qytetarët e Tiranës, nuk do të lejohen më në rrugët e Tiranës.


Basha me të rinjtë: Të bashkojmë energjitë për të shndërruar në realitet projektin për Tiranën


Përveçse në takimet në çdo cep të Tiranës, në universitet, në garat e tyre sportive, kandidati demokrat Lulzim Basha ka qenë i pranishëm edhe në festat e organizuara nga të rinjtë siç ishte edhe ajo e një natë më parë. Basha ka ftuar të rinjtë që duke nisur nga dita e hënë të bashkojnë energjitë për të shndërruar në realitet projektin për Tiranën. “Nuk ka ndodhur asnjëherë që këtij qyteti t’i ketë ardhur shpresa si kësaj radhe. Pse? Prej jush! E gjithë përgjegjësia që ne marrim përsipër përpara qytetit të Tiranës, do të nisë rrugëtimin e saj me të njëjtat parametra, me të njëjtën kursor, me të njëjtën energji, që ju keni”- u shpreh Basha në një ‘party’ të organizuar nga të rinjtë e Tiranës. Të rinjtë zënë një vend të veçantë në projektin e Lulzim Bashës për arsimin, punësimin, strehimin e tyre. Pas anëtarësimit në NATO dhe Liberalizimit të vizave, ku më së shumti përfitues janë të rinjtë, projekti i Lulzim Bashës për Tiranën është një garanci më shumë për rininë shqiptare për të qenë të barabartë me të rinjtë kudo në Europë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›