Kandidaturat për Golden Globe, porta për në Oskar

Filmi The artist, në krye të listës së kandidimeve në 6 kategori
Edhe pak ditë e ndajnë botën e kinemasë nga njëra prej ngjarjeve më të mëdha të vitit. Asaj që i hap udhën çmimeve Oskar. Bëhet fjalë për çmimet Golden Globe, të cilat do të ndahen në ceremoninë e datës 15 janar në Los Angeles. Golden Globe është një nga ato ngjarje, që priten me padurim nga kineastët nga e gjithë bota, pasi, kush kalon me sukses këtë fazë, me shumë gjasë nuk do të dalë pa gjë edhe në ceremoninë e Oskar-ve, që ndahen një muaj më pas. Ndërsa në frontin e trofeve më të rëndësishëm kinematografikë flitet ende për parashikime për edicionin e 69-të të Globeve të artë, kandidaturat janë bërë zyrtare. Mes krijimtarisë më të mirë të vitit që shkoi, janë 5-6 filma që spikasin me më shumë kandidatura. Kreun e klasifikimit e mban The Artist, një film pa zë dhe bardhë e zi, që i bën homazh pikërisht kësaj periudhe të historisë së Hollywood-it. The artist me regji të Michel Hazanavicius, kryeson me 6 kandidatura, mes të cilave ajo për kategorinë e filmit komedi apo muzikor më të mirë apo aktrimin më të mirë për aktorët francezë Jean Dujardin dhe Berenice Bejo. Për të vijuar me The descendants dhe The help me 5, Midnight in Paris me katër dhe tre kandidatura për My week. Duket se nuk ka të papritura të mëdha. Që këta filma do të tentonin kuotimet më të larta, flitej qysh se kur këto prodhime ishin në hapat e parë të xhirimeve, çka u përforcua me shfaqjet në kinema. I tillë është rasti i aktores Meryl Streep, e cila kandidon për aktoren më të mirë, për interpretimin e rolit të ish-kryeministres së hekurt britanike, Margaret Thatcher në The Iron Lady. Më 14 shkurt, pritet që Streep të marrë Ariun e artë për karrierën në edicionin e radhës së Festivalit të Filmit në Berlin. Ndonëse një vit i ngarkuar me thashetheme të atyre rozë, me kthesa të forta në jetën sentimentale, me ndarje, bashkime e sërish ndarje, 2011 qëlloi i mbarë profesionalisht për George Clooney-n. Përveçse i nominuar për aktorin më të mirë, emri i tij renditet në listat e kandidatëve për regjisorin dhe skenaristin më të mirë. Për aktorin më të mirë garon përballë mikut të tij Brad Pitt, aktorit Ryan Gosling që luan së bashku me të në filmin, që gjithashtu e drejton vetë, apo Leonardo Di Caprio-s. Kurse në ringun e regjisë duhet të përballet me të mëdhenjtë Woody Allen e Martin Scorsese. Kështu që janë të gjitha gjasat që të jetë një garë e fortë, e cila menjëherë do ti lërë udhën, së pari nominimeve e më pas shpalljes së çmimeve të shumëpritura Oscar.
Oskar, parashikimet lënë jashtë filmin shqiptar

- Meryl Streep kandidate për aktoren më të mirë në filmin The Iron Lady
Ndonëse ende nuk janë bërë zyrtare kandidaturat për çmimet Oskar, nuk mungojnë parashikimet se cilët do të jenë fatlumët e këtij viti. Një nga kategoritë shumë të lakmuara nga kineastët europianë, aziatikë etj., është ajo e filmit në gjuhë të huaj. Prej vitesh edhe kinemaja shqiptare zien nga kjo temë. Pavarësisht përmasave të kinematografisë sonë, pretendimet i kemi të mëdha dhe është bërë e modës që çdo vit të ketë sherr se kush do të shkojë të përfaqësojë kinematografinë shqiptare në listën e gjatë të kandidatëve për çmimin Oskar. Edhe këtë vit ne e kemi përfaqësuesin tonë, ndonëse doli pas shumë peripecish. Bëhet fjalë për filmin Amnistia të regjisorit Bujar Alimani, i cili rrëzoi kandidaturën e parë, që ishte Falja e gjakut me regji të Joshua Marston. Për të mos iu kthyer më kësaj historie, duke u mbështetur në parashikimet e bëra deri më tani, rezulton se filmi shqiptar, jo vetëm që nuk hyn në pesëshen e ngushtë, por as në dhjetëshe. Filmat për të cilët fliten se do të garojnë për Oskar këtë vit janë Where Do We Go Now? (Liban), Le Havre (Finlandë), A Separation (Iran), In Darkness (Poloni), Miss Bala (Meksikë), për të vijuar me filmat që përfaqësojnë Francën, Izraelin, Kanadanë, Gjermaninë dhe Kinën. Por jo gjithmonë parashikimet janë të sakta. Mund të ndodhë që kandidatët të jenë tërësisht të tjerë, pse jo dhe filmi shqiptar…
Kandidatët për Golden Globe
Filmi më i mirë dramatik
The Descendants
The Help
Hugo
The Ides of March
Moneyball
War HorseAktorja më e mirë dramatike
Glenn Close, Albert Nobbs
Viola Davis, The Help
Rooney Mara, The Girl With the Dragon Tattoo
Meryl Streep, The Iron Lady
Tilda Swinton, We Need to Talk About KevinAktori më i mirë dramatik
George Clooney, The Descendants
Leonardo Di Caprio, J. Edgar
Michael Fassbender, Shame
Ryan Gosling, The Ides of March
Brad Pitt, MoneyballFilmi më i mirë komedi dhe muzikor
50/50
The Artist
Bridesmaids
Midnight in Paris
My Week With MarilynRegjisori më i mirë
Woody Allen, Midnight in Paris
George Clooney, The Ides of March
Michel Hazanavicius, The Artist
Alexander Payne, The Descendants
Martin Scorsese, HugoSkenari më i mirë
Woody Allen, Midnight in Paris
George Clooney, Grant Heslov, Beau Willimon – The Ides of March
Michel Hazanavicius – The Artist
Alexander Payne, Nat Faxon, Jim Rash – The Descendants
Steven Zaillian, Aaron Sorkin – MoneyballAktorja më e mirë në komedi dhe muzikal
Jodie Foster, Carnage
Charlize Theron, Young Adult
Kristen Wiig, Bridesmaids
Michelle Williams, My Week With Marilyn
Kate Winslet, CarnageAktori më i mirë në komedi dhe muzikal
Jean Dujardin, The Artist
Brendan Gleeson, The Guard
Joseph Gordon-Levitt, 50/50
Ryan Gosling, Crazy, Stupid, Love.
Owen Wilson, Midnight in Paris