Tabaku: Një administratë e tej fryrë nuk i shërben interesave të komunitetit

Bashkia e Tiranës redukton personelin e administratës, largohen nga puna 300 punonjës me mbivendosje funksionesh
Bashkia e Tiranës ka reduktuar numrin e punonjësve të disa ndërmarrjeve në varësi të saj me qëllim që tu sigurojë qytetarëve shërbim më efiçent dhe më shumë investime për kryeqytetin. Kjo është bërë me vendim të Këshillit Bashkiak datë 10 nëntor 2011. Nënkryetarja e bashkisë, Jorida Tabaku sqaron për mediat se afro 300 punonjësit janë lajmëruar brenda afateve të përcaktuara në ligj. Administrata e vjetër e Bashkisë së Tiranës kishte të punësuar rreth 2700 punonjës në të gjitha strukturat e saj. Kryebashkiaku Basha premtoi se nën drejtimin e tij Tirana nuk do të kishte një administratë të tej mbushur, por një administratë më të vogël dhe më efiçente me qëllim që paratë e qytetarëve të shkojnë për investime dhe jo për rroga që mbajnë në punë njerëz që kryejnë të njëjtat funksione.
Për këtë arsye në nëntor të vitit 2011, Këshilli Bashkiak ka miratuar ndryshimet në strukturat organizative të disa ndërmarrjeve të qytetit, të cilët kryenin mbivendosje funksionesh.
Cilët nga sektorët, përveç Shërbimeve Funerale preken në numër të madh?
Përmenda pak më parë, Ndërmarrjen nr.1 të Qytetit, që merret me pastrimin dhe gjelbërimin, Ndërmarrja nr.2 me mirëmbajtjen e rrugëve dhe ndriçimin dhe Ndërmarrja nr.3, me mirëmbajtjen e shkollave. Në totaj, janë shkurtime prej 300 punonjësish. Ju i keni pasqyruar edhe në momentin që u morr Vendimi i Këshillit Bashkiak dhe nuk është diçka e re për publikun, vetëm se tani ka filluar që vendimi të zbatohet dhe të zbardhet.
Kur u është komunikuar punonjësve? Disa nga punonjësit thonin se nuk u është komunikuar...
Sipas afateve ligjore, dhjetë ditë pas marrjes së vendimit të Këshillit Bashkiak, të gjithë njësitë që kanë pasur prekje në staf u është komunikuar ky vendim dhe ato kanë komunikuar, si me Sindikatat dhe Ministrinë e Punës, për të bërë lajmërimet. Vendimi është marrë në tetor, për të lejuar dy muaj kohë, që të fillonte zbatimi në janar, ndërkohë që ne duhej të plotësonim edhe detyrimet financiare që lidheshin me këtë. Për ndërmarrjet, sigurisht që kjo nuk është diçka e re, sepse analiza e punës dhe funksioneve ka dalë nga vetë ndërmarrjet. Vetë drejtuesit, si të Ndërmarrjes Funerale dhe të Ndërmarrjes Nr.1, Nr.2 dhe 3 kanë propozuar këto ndryshime. Ne vetëm kemi reflektuar ndryshimet që ato kanë propozuar, plus që ka pasur edhe ndryshime të tjera që ishin të imponuara nga vendime të Këshillit të Ministrave, p.sh Cirku i Tiranës nuk i përket më pushtetit lokal, por i përket pushtetit qendror, pra ishin një sërë vendimesh që reflektonin, si vendime të Këshillit të Ministrave, edhe kërkesa të vetë njësive të varësisë të Bashkisë së Tiranës, që ishte e nevojshme të reflektoheshin.
Me sa reduktohet fondi i pagave, me këtë vendim?
Me këtë ristrukturim, ne kemi reduktuar fondin e pagave me 4% në vitin në vijim dhe të gjithë këto shkojnë për investime, për projekte kapitale, që besoj jeni njohur të gjithë, nga prezantimi i buxhetit.
Në momentin që keni ardhur në Bashkinë e Tiranës, e keni gjetur të fryrë administratën e Bashkisë dhe kjo është një ndër arsyet, që është rrjedhojë e kësaj apo…?
Ne kemi deklaruar me kohë që administrata e Bashkisë së Tiranës ka qenë e fryrë, por pas analizës së kujdesshme që u bë, pas analizës së funksioneve që kryente çdo ndërmarrje, duke pasur parasysh se për të njëjtin pozicion pune, paguheshin dy persona, duke qenë se ne paguanim edhe firmën e pastrimit, edhe punonjësit e Ndërmarrjes nr.1, për të njëjtin funksion, atëherë u pa e nevojshme që të evitoheshin këto mbivendosje. Besoj se qytetarët e Tiranës janë më të interesuar se si i shpenzojnë taksat e tyre, sesa për mënyrën se si kjo ndodh.
Këta punonjës, të cilët mbeten pa punë tashmë, a do të ketë një vendim të dytë, ku do të shkojnë këta njerëz?
Sigurisht që e përmenda pak më parë, që nuk është e thjeshtë. Ne po marrim masa, që ata të paktën të kenë një pagë prej dy muajsh, siç e lejon edhe kontrata e tyre, ndërkohë në bashkëpunim me Ministrinë e Punës, këta janë të regjistruar në listën e punë-kërkuesve për qytetin e Tiranës dhe ne do përpiqemi së bashku me sektorin privat, të shikojmë mundësitë. Besoj se të gjithë u njohët me vendimet që u morën në Këshillin Bashkiak, për lehtësirat që ne do të ofrojmë për bizneset e reja, që do të marrim persona pikërisht nga lista e punë-kërkuesve, për qytetin e Tiranës. Bashkëpunimi me Ministrinë e Punës, në këtë rast është shumë i ngushtë, për të ndihmuar këtë proces tranzicioni, që të ishte sa më i lehtë për të gjithë.
...