Kandidimi i tretë, i katërt, si ujë i ndenjur
Kushdo që njeh sadopak ligjet e natyrës, nuk ndodh që të gabojë me ligjet apo në marrëdhëniet sociale. Jo më kot njerëzimi qysh 10 000 vjet para Krishtit, para se ndërtonte kushtetutën njerëzore, Biblën, studioi më parë ligjet natyrore, proceset dhe dukuritë e saj, si ciklet diellore, sekuencat hënore, ndryshimin ditë-natë, dhe jo vetëm kaq. Për tre mijë vjet, njerëzimi i asaj kohe, sidomos ai arian i zbritur nga stepat e Mongolisë pas të ftohtit të fundit akullnajor, studioi marrëdhëniet kafshë-natyrë, si ato i gjegjeshin apo i përshtateshin biodiversitetit natyror, deri në atë që akshën pozicion i ndenjjes së qenies kafshë kuron akshën sëmundje ose deri në atë që kur dhe pse prishet uji, vera, vaji i ullirit, si lëndët e para të jetesës së njerëzimit urban. Në këtë kuptim, rezultoi se çdo lëndë apo materie e caktuar si p.sh uji, le të themi, ka një cikël të caktuar që përputhet apo shkon në një harmoni perfekte me ciklet e tjerë të rruzullit tokë dhe/ose të sistemit të madh, dhe jo më kot këto cikle, njeriu i kodifikoi me data të shenjta, si 6 janari, 14 Marsi etj., e sipas tyre ndërtoi kalendarët.
Pra, u zbulua se një materie e caktuar si uji bën të rigjenerojë vetveten për 365 ditë dhe ky quhet cikël i plotë ujor dhe kur ai ndodh që të jetë i paqmë, jo agresiv, i butë, njerëzimi mësoi se duke e bekuar me urata, me kryqe të hedhura me nitrat argjendi për të katalizuar gjithë ujërat e tjerë komunikues, ai mund të rrojë edhe një cikël tjetër njëvjeçar. Të gjithë jemi dëshmitarë se si ujin që ka mbushur një vit jetë, nën ritet e bekimit pagan, sot edhe kristian, e marrim me shishe, e ruajmë dhe ai rron me të vërtetë edhe një vit tjetër, pra dy cikle, por më pas ai quhet ujë i ndenjur, për të mos thënë i qelbur. Kësisoj shpjegohet vera, vaji i ullirit, që rrojnë fiks një vit, pastaj me paterica e konservantë e me të shtytur mund të rrojnë, por sjanë më ato të parat. Edhe historia njerëzore këtë ka vërtetuar, se të gjithë mbretërit kanë qenë të mirë në ciklin e parë dhe, kur kanë marrë uratën nga populli, kanë vazhduar dhe një cikël tjetër, por këtu qëndron sekreti. Në vend që të iknin si ujë i bekuar, kanë ikur si mbretër të mallkuar, sepse avash-avash u ndenjën, u mpakën, më saktë u qelbën, ashtu pa u kuptuar dhe një ditë u gdhinë tiran. A nuk ishte kështu Jul Cezari? Po Napoleoni? Po Cari i parë që formoi popullin rus? Po Luigj-ët? Po Karl-ët?
Kësisoj, historia ringjalli, ashtu sikundër kishte qenë në fillimet e veta në demokracitë kanunore, se cikli i një vendimmarrësi nuk zgjat më shumë se një herë dhe kur je i bekuar dy herë, por asnjëherë tri dhe mizorisht katër. Ky rregull ka qenë qysh 7000 vjet në trojet shqiptare, prej të cilave e transportuan gjatë ngrohjes së atëhershme globale me anë të dyndjeve të quajtura alpine drejt vendeve kelte, anglo e saksonëve. Vonë-vonë, në shekujt pas mesjetës, këta popuj thirrën memorien e të parëve dhe vendosën se cikli vendimmarrës është një mandat katërvjeçar, dhe dy, kur kemi një person të bekuar si uji dhe basta. Me këtë ligj u formatua Presidenti i Amerikës, sepse ishin gjithë parlamentarët që morën arratinë pas ngjarjeve të Kromwell-it që shkuan e ndërtuan një tokë të re me ide të reja. Po këtë rregullore, le të themi ka bota e kafshëve, ku një ujk nuk zgjidhet më shumë se një cikël dhe kur i fiton sërish detyrat e vëna nga tufa, mundet dhe dy herë, por asnjëherë tri apo katër. Edhe mbetjet, një herë riciklohen, ja të themi dy, por asnjëherë tri herë e aq më keq katër herë. Lidhja me faktorin social është sa shkencore, sa organike, aq dhe mistike.
Le të kthehemi tek fakti ynë zgjedhor. Ndodhemi përballë asaj që jo pak raste nga të dy krahët po përballemi me kandidime për herë të tretë dhe herë të katërt. Turp e faqezezë! Ajo që të tremb është se si këta njerëz nuk kanë frikë as nga ligjet e natyrës e as nga ligjet e Zotit, që nëpër këmbë i kanë e nuk duan ti shohin.
Ndaj, të dashur bashkëqytetarë e bashkëfshatarë, nëse kini përballë një kandidat për herë të katërt dhe një për herë të tretë, mos u mendoni për krahun që përfaqëson, por zgjidhni të dytin, si të keqen më të vogël. Akoma më të sigurt në këtë zgjedhje, kur i dyti është për herë të dytë dhe pa u menduar fare, kur njëri garues është për herë të parë. Po kjo logjikë funksionon edhe kur keni përballë një kandidat për herë të tretë dhe një për herë të dytë. Pa një pa dy, zgjidhni atë me më pak cikle, deri në rastin e ujit të bekuar. Pale kur dikush është për herë të katërt ose të tretë ose të dytë dhe tjetri është për herë të parë, kjo nuk do këshillë, por direkt voto atë sefte, që me patjetër sjell kohë të re, vizion të ri, sepse vjen si një diell që lind e që ka një ditë të tërë përpara, sesa një diell që ishte, që ndiqet nga një natë e tërë pas, por edhe sepse sipas ligjeve të natyrës, fshesa e re fshin më mirë se ajo e vjetra, por edhe sipas një ligji tjetër natyror, që njeriu më i shëmtuar është më i bukur se majmuni më i bukur.
