E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rama do që ti bojkotojë zgjedhjet

Kryeministri Berisha ka paralajmëruar dje se opozita mund ti bojkotojë zgjedhjet e 8 majit: Ka një pikëpamje se zoti Rama do ti bojkotojë zgjedhjet për shkak të rezultatit që nuk e ka, por unë nuk jam i prirur ta besoj. Berisha ka sqaruar dje pse nuk ka qenë në fushatë me Lulzim Bashën në Tiranë: Këto janë zgjedhje lokale, unë do të jem aty ku duhet të jem, në 2013 do kandidoj për Kryeministër. Shefi i qeverisë tha se gabimi i fushatës së 2007 ishte spoti me fotot në plazh të Edi Ramës.

Kryeministri Sali Berisha shpjegon në një intervistë në Opinion përse nuk ka dalë në krah të Lulzim Bashës në Tiranë. Kreu i maxhorancës flet gjithashtu për fushatën zgjedhore, teksa thekson se fitues do të jetë ai koalicion që ka qoftë edhe një votë më shumë se kundërshtari.

A janë mërzitur shumë veta në Partinë Demokratike që ju po flisni sot dhe zoti Lulzim Basha do të flasë nesër?
Përkundrazi, ajo që presin bashkëpunëtorët e mi dhe unë nga bashkëpunëtorët e mi është një fitore e merituar në datën 8 maj. Kam bindjen e plotë se po ecim drejt saj. Gjithçka tjetër i mbetet periferisë së thashethemit. Në fakt, në thelb, kjo ka qenë fushata, mund të them, në të cilën ekipi drejtues i PD-së ka qenë më i angazhuar se kurrë në të. Pret me kënaqësi rezultatin e zgjedhjeve më datë 8 maj. Është shumë normale se zgjedhjet e qeverisë vendore të udhëhiqen nga Tirana. Fushata është një festival madhështor, ku nuk shkëlqen talenti kulturor i qytetarëve, por talenti politik i tyre. A e di ti se çdo shqiptar, në fushatë, bëhet politikan me kohë të plotë?
Në rast se do ta humbisni Tiranën, do ta konsideroni se do ti humbni zgjedhjet, zoti Berisha?
Përpjekja tre shekujt e fundit ka qenë për barazimin e votës. Vota është e barabartë kudo që ajo hidhet. Unë të garantoj se në rast se zoti Edi Rama, me aleancën e tij për të ardhmen, për vetminë, merr qoftë edhe një votë më shumë se aleanca ime, unë do të them se ai i fitoi zgjedhjet.
Votë për këshilltarët?
Votë në planin e përgjithshëm.
Pra i qëndroni votës popullore në rang vendi?
Pa diskutim.
A po thoni që këto zgjedhje mund të shndërrohen në një referendum politik?
Për qeverinë?!
Pa dyshim.
Po ajo do të faktohet. Por, për qeveritarët vendorë, zgjedhjet smund të kenë kurrë karakter politik. Unë të garantoj se zgjedhjet e përgjithshme do të zhvillohen javën e fundit të qershorit 2013. Është e vendosur kjo, është ABC-ja e kulturës politike. Zgjedhjet në një sistem demokratik kanë një përcaktim kushtetues, i cili ndryshon vetëm në rast të humbjes së maxhorancës në Parlament.
A i keni kalkuluar ndonjëherë, zoti Berisha, në këto 15 fushata që keni zhvilluar, sa prej tyre i keni humbur? Dhe si keni reaguar kur keni humbur një fushatë?
Ato që kam humbur, që janë pranuar ndërkombëtarisht, janë 2 prej tyre dhe e kam pranuar me gjakftohtësi dhe respekt të plotë verdiktin e sovranit.
Më shumë se dy kam përshtypjen…
Më gjej ti cilat?
Fushatën e parë të 31 marsit 1991…
Pse zgjedhje të lira ishin ato? U damkosën si zgjedhje jo të lira.
Zgjedhjet e vitit 2000-2003…
Të dënuara ndërkombëtarisht. Ka një dënim ndërkombëtar për to. Madje edhe zgjedhjet e 1996-s u dënuan. Nëse i përjashtojmë këto, dalin dhe janë 2. Fatmirësisht nuk jam gjithnjë fitimtar.
Si ka qenë kjo fushatë, krahasuar me të tjerat?
Më e bukura. Ka disa risi, iu përmbajtja deklaratës për një fushatë në dietë. Fushatë në të cilën edhe Kryeministri i vendit përdori një mjet të marrë me qira. Mbi shpatullat e taksapaguesve kushtoi shumë më pak. Kjo është një fushatë në të cilën qytetari, më shumë se kurrë, u vu në epiqendër. Ne flisnim për qytetin, zoti Rama fliste për fajin e Berishës. Më në fund ai u rikthye dhe u kujtua se ka qytet, ka projekte, ka zhvillime. Fushata ka një dimension interesant, atë dixhital. Në fushatën e kaluar, në vitin 2009, i vura vetes qëllim të zhvilloj fushatën elektronike. Mora një këshilltar të grupit të presidentit Obama, nga Florida. Nuk ishte ndër kryesorët, por ishte përgjegjës për fushatën dixhitale dhe e zhvilluam shumë mirë. Në këtë fushatë ka një risi pozitive, Facebook-u. Është mënyra më sociale e komunikimit. Fakti që për qytetarin e parë të Tiranës u angazhuan në Facebook mbi 250 000, nga të cilët, sipas qendrës së statistikës së kësaj faqeje në Amerikë, 136 000 janë në Tiranë.
Opozita tha se janë të blerë…
Të vetmen gjë që nuk mund ta bësh kurrë. Nuk e blen dot një njeri në Facebook.
Nëse 130 000 veta janë në Tiranë, atëherë ju i paskeni fituar zgjedhjet.
Nuk besoj të ketë fëmijë në klasë të pestë e sipër që nuk janë në Facebook. Por këta janë individë me një influencë të fuqishme në familje. Nuk ka asnjë lajm më pozitiv për Lulzim Bashën sesa në familje të thotë djali ose vajza se komunikova me Lulzim Bashën.
Ju keni Facebook, apo jo?
Ekzistojnë shumë faqe të miat në Facebook. Do të hap të parën, e kam vendosur së pari me mbesën time e më pas do të kem lidhje me të tjerët. Por duhet të marr më parë pëlqimin e saj. Por po, do të kem një faqe, sigurisht.
Zoti Rama tha se do të hapë 300 000 vende pune në vitet e ardhshme.
Tani kuptova se kur Fatos Nano bëri fushatën në vitin 2005 dhe deklaroi se do të krijonte 200 000 vende pune, ia paska dhënë Rama, se paska mani për statistika ty. Ka dy muaj që u thotë shqiptarëve se ka një milion të papunë, si Ramiz Alia, tani thotë do hapë 300 000 vende pune. Nesër prit kur të thotë 500 000. Ka një shprehje që thotë, po më gënjeve njëherë, fajin e ke ti se të besova, por po më gënjeve për së dyti… shqiptarët nuk e besojnë më.
Po meqë Edi Rama ka fituar tri herë në Tiranë, përse është divorcuar tri herë PD me Tiranën? A shihni ndonjë gabim ju në raport me Tiranën?
Ka pasur një gabim në fushatën e vitit 2007, më doli jashtë kontrolli emetimi i një spoti që nuk duhej emetuar dhe për të cilin unë mbaj përgjegjësi. Ai që nxirrte zotin Rama në plazh. Ai nuk duhej bërë.
Ju nuk ishit entuziast për atë spot?
Po të kisha qenë vetë, nuk do ta kisha lëshuar atë spot.
Dy kolegët e mi thonë se zoti Bejtja ju ka hequr nga lajmi i parë dhe ka nxjerrë zotin Basha. Zoti Bushati thotë që ju nuk keni guxuar as të dilni në krah të zotit Basha në Tiranë nga frika se mos i hiqni atij vota. Është e vërtetë?
Kam dalë me të në hapjen e fushatës dhe në mbyllje të fushatës me të do të jem. Zoti Basha bëri një punë të dobishme me strukturën e partisë. Roli im si kryetar i PD-së në fushatë është të garantoj mbështetjen e plotë të strukturave dhe kandidatit. Këtë bëra unë kudo. Basha bëri një punë intensive me të gjitha strukturat e PD-së në Tiranë dhe pati një impakt shumë pozitiv. Kjo më bëri mua ta trajtoj Tiranën në rrafshin partiak njëlloj si Shkodrën, Elbasanin etj.
Është hera parë që ju shoh të kënaqur, edhe pse ju nuk jeni lajmi i parë…
Po prit 2013-n. Unë duhet të jem aty ku duhet të jem. Mos më krahaso mua me rivalin tim, që kandidon edhe për këtë, edhe për atë. Unë kandidoj për Kryeministër. Kam deklaruar, edhe President jo.
I qëndroni kësaj ideje? Nuk do të jeni asnjëherë President, ju i keni votat?
Absolutisht i qëndroj. Unë jam Kryeministër. Madje nuk më vjen mirë që të shoh të ndërrohen rolet në fushata elektorale.
Zoti Basha deklaroi se ndoshta nuk është për shembjen e Piramidës, ndërkohë që është vënë në punë projekti për ndërtimin e Piramidës…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›