Kangët e vdekjes së bukur
Shqisa, intuita dhe durimi intelektual janë lakmuese për çdo studiues, për mënyrën se si Ernest Koliqi i ka sjellë kulturës shqiptare një nga librat më sublimë, siç është “Eseja e letërsisë shqipe”. Ky botim është një përmbledhje e botuar në Itali, në vitin 1972, ku përfshihen kontribute, kumtesa e artikuj të mbajtur në konferenca e kongrese të ndryshme shkencore të botuara jashtë Shqipërisë, të cilat rrokin një periudhë kohe 15-vjeçare, duke filluar nga viti 1953 deri në vitin 1968
Kangët e vdekjes së bukur
Kushdo që e hedh vështrimin nga skarpatet e Rozafatit, mbetet i shokuar nga pamja magjepsëse e maleve që rrethojnë në trajtë amfiteatri fushën ku vezullon pasqyra e madhe e liqenit e ku gjarpërojnë tre lumenjtë që lagin qytetin. Shpatet e zhveshura të këtyre maleve, me thepimën e tyre të ashpër, të shtyjnë të besosh se aty është kufiri, përtej të cilit nuk ekziston më as bota njerëzore, e as ajo bimore. Por, Shqipëria e vërtetë fillon pikërisht përtej asaj barriere shkëmbore. Rreth pesë kilometra për nga verilindja e Shkodrës, ura e mrekullueshme e Mesit, një ndërtim i lashtë venecian, ndan dy botë. Duke u ngjitur luginave gjarpëruese që të çojnë nga Mesi në Drivasht (dikur qytet i begatë, me një kështjellë fortifikatash të rënda përgjatë lumit Kir, e sot një fshat i thjeshtë) e më pas, duke zbritur poshtë drejt Prekalit (porta e Dukagjinit), ke ndjesinë e çuditshme të ngjitjes, jo vetëm në hapësirë, por edhe në kohë.
Sot kanë ndryshuar mjaft gjëra, por rreth 1930-s, duke përshkuar alpet shqiptare, e ndjeje veten të mbështjellë në një atmosferë mesjetare. Të dukej sikur jetoje në epoka historike të kahditshme. Vetëm armët që ngjishnin malësorët, pushkë e pisqolla, të gjitha të modeleve të fundit, të bënin të kuptoje që nëse jeta rridhte ende me ritmin e ngeshëm, aq të dashur për stërgjyshërit tanë, mjetet për të ndjellë vdekjen, për fat të keq, qenë përtërirë dhe funksiononin me efikasitetin e shpejtësinë më moderne.
Kaptuar urën prej pesë harqesh elegantë e të hijshëm të Mesit, udhëtari hyn në paramalësinë e maleve të lartë, ku natyra fillon të ndryshojë pamje. Nuk të zë syri as shkurret, as shkëmbinj të zhveshur. Në lugina e luginëza të mbrojtura prej shqotës syri ngazëllehet kopshtesh të begatë dhe shpatesh të mbjellë me duhan. Shtëpitë mezi shihen mes harlisjes së gjelbërimit të pemishtes. Fiqtë dhe rrushtë e kësaj zone të quajtur “Ura e Shtrejtë” janë me nam.
Tashmë ndodhemi në botën e vogël e të veçantë të malësorëve. Që prej 1479-s, kur Turqia, pas qëndresës burrërore të Skënderbeut, pushtoi përfundimisht Shqipërinë, e deri më 1912, kur u rifitua liria, popullsia e këtyre maleve u vetëqeveris e varej vetëm formalisht prej Portës së Lartë. Juridiksioni shtetëror otoman merrte fund tek Ura e Mesit. Përtej saj hynte në fuqi Kanuni i Maleve të Shqipërisë që quhej edhe Kodi i Ligjeve Zakonore. Shqipëria e epërme përfshinte 69 bajrakë apo flamuj. Bajraku ishte një organizim i veçantë politik, me pleqësinë e vet ku merrnin pjesë me të drejtë trashëgimie kryetarët e familjeve. Pos kësaj, në jo pak bajraqe, zakonisht në ato me popullsi më të madhe, kishte dhe një pari të djelmnisë që zbuste vendimet e pleqësisë. Në rrethana të jashtëzakonshme, mblidhej asambleja, në të cilën kishin të drejtë të merrnin pjesë të gjithë kryetarët e familjeve (nga një për vatër). Bajraktari ishte kryetari, njëfarë “konsulli trashëgimtar” i cili, në kohë paqeje zbatonte vendimet e pleqve, ndërsa në kohë lufte merrte komandën e burrave të bajrakut dhe ushtronte mbi ta pushtet diktatorial.
Kanuni apo Kodi i Maleve, i mbetur larg vëmendjes së të huajve, ndryn në vetvete norma juridike të stërlashta, të afta të qeverisin në mënyrë të mahnitshme jetën e një shoqërie heroiko-patriakale. Në gjuhën eliptike me të cilën ligjvënësi anonim formulon normat themelore të Kanunit ndjehet fërgëllima e një fryme epike.
Ja disa shembuj:
-Në Kanunin e Maleve nuk bëhet dallim mes njerëzve. “Shpirt për shpirt se duken e falë Zoti”.
- I miri e i keqi kanë të njëjtën vlerë. “Del i miri prej të keqit e i keqi prej të mirit”. “Në kandar secili peshon katërqind derhem (pra nuk peshon më pak se të tjerët)”.
- Nuk ka gjyq e gjykatore për shndërrimin. “Në daç fale; po deshe laje ballin e vrugnuem”.
Kam qëmtuar aty këtu mes normave të Kanunit të Lek Dukagjinit për të dhënë një ide jo vetëm mbi përmbajtjen, por edhe mbi forcën shprehëse që i shënjon stilin. Ka kohë që këto ligje zanafillore nuk janë më në fuqi, por fryma që i përshkon mbetet ende në mendësinë e popullit.
Ndjenja e nderit mbizotëron natyrën e shqiptarit. Zakoni i mikpritjes s’mund të “shfuqizohet”: kush troket natën në një portë shqiptare në kërkim të një strehe është gjithmonë i mirëpritur, megjithëse autoritetet zbatojnë dënime të rrepta nëse marrin vesh se “miku” është “një i jashtëligjshëm”. Mund të përmenden raste të tilla edhe kohëve të fundit.
Qyteti nuk i tërheq malësorët. Fushëgropën e Shkodrës, që shtrihet nga malet e tyre deri në Adriatik e thërrasin “gropa e Shkodrës”. Në qytet zbret nga çdo familje vetëm ai që është i ngarkuar të merret me punët e tregtisë, pra administratori i shtëpisë dhe, në rrethana të veçanta, kryetari i familjes e më rrallë Bajraktari. Malësorët e adhurojnë jetën, gjallërinë, bollëkun dhe shumëllojshmërinë e mallrave të ekspozuara në dyqanet qytetëse, mrekullitë ekzotike të Pazarit, por kjo mbetet një ndjenjë kalimtare që nuk i shtyn në ngasje. Ata rikthehen plot dëshirë në vatrat e tyre pas një qëndrimi pak a shumë të shkurtër në qytet, duke marrë me vete vegimin e një shfaqjeje që i mrekullon, por që nuk i josh aq sa t’u errësojë gëzimet e një jete të lirë mes malesh.
Malësorët janë një botë më vete që mbështetet në forma sjelljeje shkruar ndër shpirtra. Në sfond të kësaj jetë shihen ende reflekse pagane, mite, besime, besëtytni. Aty ndërthuren në një pështjellim mbresëlënës që gufon prej poezisë së kulluar mbeturina besimesh të lashta, rite nga epokat më të largëta njerëzore e kozmogoni zanafillore. Çdo burim, çdo luginë, çdo majë, çdo pyll ka hyjninë e tij mbrojtëse.
Malësorët nënqeshin mëshirshëm kur hasin në fytyrat tona prej njerëzish të shkolluar, shprehje dyshimi ndaj pohimeve të tyre mbi ekzistencën e qenieve mitologjike ndër male. Malësorët kanë fallxhorët dhe yshtësit e vet, kanë mjekët e vet krejtësisht të pashkolluar, por që i shërojnë plagët më mirë se kirurgët qytetas, kanë poetët që krijojnë këngë, kanë rapsodë që këndojnë mbi një recitativ rapsoditë e tyre tradicionale shoqëruar me një vegël harqesh me një tel. Shpesh ndodh që një poet të jetë edhe rapsod, domethënë di t’i këndojë rapsoditë (krijime epike tradicionale), por di edhe t’i krijojë këngët heroike. Megjithatë, zakonisht rapsodi këndon rapsodi anonime të trashëguara brez pas brezi dhe këngë heroike të kohës të krijuara nga këngëtarë të tjerë të gjallë, por jo nga ai vetë. Pothuaj çdo malësor di të këndojë dhe të luajë me vegël, por këngëtar quhet vetëm ai që shkëlqen në këtë art, ai që, jo vetëm mund të këndojë net të tëra pa përsëritur kurrë një varg, të mbushë pauzat me intervale muzikore që i luan me mjeshtëri të rrallë mbi telin e vetme të veglës së tij, por që i jep spikamë rapsodisë me ngjyresat e ndryshme të zërit dhe me shprehjet e fytyrës. Gjenialiteti i rapsodit duket kur ai i kushtohet këngës: po të jetë i frymëzuar, atëherë, skema e rapsodisë, e njohur nga të gjithë, stoliset me imazhe të reja, me batuta të gjalla në dialogun e personazheve, me plotësime të këndshme në përshkrimin e peizazheve, me komente të kripura e gjykime aforistike. Kur nxitet nga mjedisi apo është në ndonjë çast frymëzimi të mbarë, rapsodi mund t’i shtojë rapsodisë disa qindra vargje stisur aty për aty. Në të kundërt, kur nuk është në humor të mirë, e shkurton përtej të zakonshmes, duke u mjaftuar me paraqitjen e shpejtë vetëm të pleksjes së intrigës.
Metri i këngëve heroike shqiptare është tetërrokëshi, pra e njëjta tripodi daktilike si e Romancero-s spanjoll. Ndërsa në rapsodi përdoret dhjetërrokëshi i formuar nga një katërrokësh dhe një gjashtërrokësh, të dy me theks parafundor. Ky varg është i ngjashëm me deseterac-un e sllavëve të Jugut. Pas katërrokëshit bie një cenzurë. Dashuria dhe vdekja, lakmia për lavdi, sulmi ndaj kullave, çetimi në tokat armike, grabitja e grave janë temat kryesore të rapsodive.
Heronjtë e rapsodive quhen edhe luftëtarë kufijsh. Ashtu siç sundonte Cid Campeador me aradhen e ndjekësve të tij të guximshëm një zonë mes dy botësh, asaj kristiane spanjolle dhe asaj myslimane arabe, apo si Digenis Acritas që kish zënë pusi në kufijtë e fundmë aziatikë të perandorisë bizantine, ashtu dhe Muji, Halili e Gjergj Elez Alia, në rapsoditë shqiptare, vigjëlonin në vijën e mjegullt ndarëse mes botës sllave e asaj shqiptare. Alpet shqiptare përbëjnë kufirin juglindor të sistemit malor boshnjako-malazez. Nuk është për t’u habitur nëse shpesh, emrat e heronjve shqiptarë tingëllojnë të afërt me emrat e heronjve myslimanë të përdorur nga poetët boshnjakë dhe nëse thurja e rapsodive përkon plotësisht. Ngado gëlon epika, u këndohet të njëjtave ngjarje, ndryshon vetëm mentaliteti etnik që i plazmon. Këngëtari i alpeve shqiptare, lindur e rritur në zemër të Alpeve, nëpër lugina të humbura ku me zor depërton, nuk njeh as edhe një fjalë sllavisht. Megjithatë ai e sheh emrin e Mujit që këndohet në rapsoditë boshnjake si atë të mbrojtësit të truallit të vet nga shtypja historike sllave dhe mishëron në të heroizmin e luftëtarëve të trungut të vet. Ndërkohë, shpirti i rapsodive që përshkruajnë aty-aty të njëjtat tema me ato sllave është krejt i ndryshëm. Kemi të bëjmë me motivet migruese që secili popull i përpunon në përputhje me dhuntinë e vet.
Këtu nuk mund të lëmë pa përmendur kontributin e studiuesit të shquar spanjoll, Ramon Menendez Pidal, me kërkimet e tij mbi zanafillën e poezisë popullore. Sipas tij, kjo poezi është fryt ripërpunimesh. Nëse e kam kuptuar drejt konceptin e tij të krijimit kolektiv, mund të pohoj se ai gjen vërtetim në procesin krijues të këngëtarëve shqiptarë. Poeti popullor merr shtysë gjithmonë nga një motiv migrues, domethënë nga një temë e shtjellë dhe e stërshtjellë, e cila, për të, nuk ka pikë rëndësie. Ai nuk kërkon motive origjinale, madje i mënjanon, pasi dëgjuesit parapëlqejnë motive tashmë të njohura. Ndërkaq, përpjekjet e tij poetike, dhuntitë, ndjeshmërinë, thesarin e imazheve të veta i përqendron në zhvillimin e motivit. Kështu, motivi, duke mbetur i pandryshuar në linjat kryesore, të themi në mënyrën e thurjes, përtërihet në mbështjellën poetike, jo vetëm aq herë sa interpretohet nga këngëtarë të ndryshëm, por edhe sa herë e këndon i njëjti këngëtar. Variantet janë të rëndësishme pikërisht për këtë, siç këmbëngul me të drejtë Menendez Pidal. Vargjet e improvizuara nga këngëtari në një moment frymëzimi e të ngërthyera në pikat thelbësore të dramës të mirënjohur tashmë e ngulisin këngën në një mënyrë të tillë sa t’ia dhjetëfishojë magjinë.
Shpirti heroiko-patriarkal i Kanunit ndjehet në gjithë malësinë shqiptare, ku më pak, ku më shumë, por gufon më furishëm se kudo në Alpet shqiptare. Këtu, poezia epike e rapsodëve përkujton bëmat e mbrojtësve të kufirit, luftërat e pamejtuna* të shqiptarëve kundër sllavëve. Kjo dukuri poetike është tipike aty ku përplasen dy qytetërime.
Këngët heroike gufojnë edhe sot me bollëk në Shqipëri, por këtu nuk do të merremi me to. Do të trajtojmë rapsoditë, këngë tradicionale që përkujtojnë bëmat e Mujit e Halilit, luftëtarë që kanë jetuar aty nga shekulli XVIII. Letërsia e pasur gojore shqiptare përmban këngë legjendare më të lashta, por cikli i rapsodive të dy heronjve të lartpërmendur dhe të heronjve të tjerë të kufirit, përbëjnë atë korpus të pandashëm të poezisë epike, ku populli shqiptar ka derdhur pjesën më vitale të shpirtit të tij etnik. Copëza këngësh epike të stërlashta, motive legjendare, mite, fragmente epitalamësh e këngë zije të harruara shkrihen aty, pasi kanë pësuar një përpunim të thellë. Në këto rapsodi, natyra shqiptare pasqyrohet si në një pasqyrë të kthjellët. Shpirti shqiptar shfaq në to të njëjtat tipare të maleve të veta: të ashpra e të thikta brinjëve tek i sheh nga bregdeti, e krejt ndryshe, mbushur me mistere ndjellëse në luginat e brendshme, plot ujëra burues, veshur me një të gjelbër të butë. Kullotat e larta të Alpeve shqiptare me kurorën e pishave dhe bredhave përreth, kanë një bukuri të pakrahasueshme. Baroni Nopcsa, Baldaçi e Gabriel Louis Jarai, mes shumë udhëtarëve të tjerë të huaj , i përmendin me ngazëllim.
Në botën e vogël e të veçuar të Alpeve shqiptare rapsodët janë persona të rëndësishëm. Lahutën, veglën muzikore me të cilën rapsodi shoqëron këngën e tij, dinë, kush më shumë, kush më pak, ta luajnë të gjithë malësorët, por janë të paktë ata këngëtarë që, të pajisur me dhunti shprehëse gjeniale e zotërojnë këtë vegël dhe recitojnë dhjetëra e dhjetëra rapsodi prej qindra vargjesh. Por më lejoni t’ju paraqes mbretin e këngëtarëve të Dukagjinit, Gjergj Pllumbin, rapsoditë e të cilit janë mbledhur nga jezuiti At Fulvio Cordignano.
Unë qesh i pari që ua vura në dukje këtë këngëtar studiuesve të folklorit në vëllimin tim “Epica popolare albanese”. Ja si shkruaja atëherë, në 1937:
“Duke folur mbi rapsoditë e rapsodët malësorë në udhëtimet e mia të shpeshta në malet e Dukagjinit, më përmendnin ngado Gjergj Pllumbin, këngëtarin e Thethit. U përpoqa ta takoj në një nga shëtitjet e mia verore ndërsa kaloja nëpër luginën e Shalës, kur kthehesha nga Mërturi, por nuk ia dola. Më thanë se ato ditë ishte larg shtëpie. I dërgova fjalë të vinte në Shkodër, por nuk erdhi. Shpjegimi që më dha më vonë ishte i çuditshëm dhe do ta tregoj.” “Një vit më vonë vendosa të shkoj vetë në Theth. Doja ta njihja patjetër e t’i dëgjoja prej gojës së tij ndonjë nga këngët e dashurisë që, siç flitej, veç ai dinte t’i këndonte me një mjeshtëri të pashoqe e të ruante në kujtesë një repertor të gjerë e të pamatë”.
“Nuk kam për ta harruar kurrë atë mbrëmje të fund korrikut kur e pashë të vinte drejt meje. Thethi është një luginë e mrekullueshme alpine, rrethuar nga majat më të larta të Shqipërisë, e gjitha me pyje pishash e ahesh, plot gurgullimë burimesh të freskëta, me një lumë të kthjellët që e përshkon ndërsa derdhet drejt Drinit. Unë isha ndalur në shpatin e Gjeçajt. Isha ulur në një lëndinë sipër shtëpisë ku isha mik në fund të një pylli, i rrethuar nga malësorë vendas. Vështroja me admirim tutje, pjesën e poshtme të Thethit me lumin që rrezatonte nga rrezet e perëndimit. Pamë rapsodin tek ngjitej për tek ne, i pakët nga shtati, ndërsa i lëvizte krahët e gjatë në mënyrë të çuditshme. Brezi i tij i kuq i qëndisur me ar përshkëndrinte në rrezet e diellit që po shuhej. Kur ishte njëqind hapa larg nesh, malësorët që ishin ulur këmbëkryq në bar përreth meje, nisën të ngriheshin për ta përshëndetur.
Më vonë zbulova se ishte vojvodë, prijës i zonës së tij që përfshinte 150 familje.
Në mbledhjet e fiseve të Shalës ai ulej bashkë me vojvodët e tjerë fill pas Bajraktarit.
Impononte respekt tek të gjithë malësorët jo vetëm për derën fisnike nga rridhte, por mbi gjithçka për mprehtësinë e mendjes. Sapo u ul e ndjeva se kishte pushtet mbi ta. Fliste me një lehtësi mahnitëse, i saktë në frazë, i qartë në shqiptim. Më kërkoi të falur që nuk e pat pranuar ftesën time të një viti më parë për të zbritur në Shkodër. Më shpjegoi se kur i kish mbërritur ftesa, misioni shëtitës i Etërve Jezuitë mbante një kurs lutjesh në kishën e Thethit dhe një nga misionarët e kish bërë të betohej se nuk do të këndonte kurrë më këngë dashurie, këngë skandaloze. Meqë e kish ndjerë se unë interesohesha në veçanti për këngët e dashurisë, s’e kish parë të udhës të vinte. Pastaj shtoi se këngët e dashurisë i kish hequr përgjithmonë nga repertori i tij. Para se të ngrysej na rrëfeu jetën dhe bëmat e Milosh Obiliqit, që sipas tij, qe djali i një murgeshe serbe me një dragua shqiptar. Ishte kënaqësi e rrallë ta dëgjoje. Rrëfente me mjeshtëri prej rrëfimtari të sprovuar duke i renditur episodet në një rend të kthjellët, duke i referuar dialogët me një dramaticitet të gjallë, duke i përshkruar hollësishëm personazhet e ndryshëm.
Freskia e mbrëmjes na detyroi të hynim në banesën e gjerë e të bollshme të malësorit, tek i cili isha mik. U ulëm të gjithë qark në tokë mbi velenxë në odën më të mirë të shtëpisë në jastëkë të mëdhenj të ashpër. Gratë sollën rakinë që e kishin vënë të ftohej në ujërat e rrëkesë aty pranë, dy gota rakie, dy pirunë dhe shumë lloje antipastash të vockla: qepë, djathë, mëlçi qengji të skuqura. Një gotë dhe një pirun ishin për mua, gotën dhe pirunin tjetër e përdornin me radhë malësorët.
Sollën lahutën, vegël muzikore që i ngjan një viole të vogël, më e rrumbullakët në formë, bërë me dru panje. Lahuta që do të përdorte Pllumbi atë natë kishte gdhendje të mrekullueshme. Gdhendjet paraqisnin kokën e një kaprolli me brirë të gjatë. Banorët e Thethit janë të njohur në të gjithë Veriun e Shqipërisë si mjeshtër të punimit të drurit. Lahuta ka vetëm një kordë bërë me jele kali. Harku është shumë i harkuar, gati një gjysmërrethi....
Gjergj Pllumbi i ndan këngët popullore në kangë t’egra e kangë të buta. Të parat përfshijnë ciklet e rapsodive dhe në përgjithësi këngët heroike, (ato që në “Epica popolare albanese” i kam quajtur “Kangët e vdekjes së bukur”), të dytat janë këngët e dashurisë. Repertori i rapsodive të Gjergj Pllumbit është mbledhur dhe publikuar nga i ndjeri At Fulvio Cordignano. Por, këngët më të bukura janë mbledhur e disa edhe përpunuar me një dorë prej mjeshtri nga At Bernardin Palaj. I quajtur edhe Frat i këngëve ngase qe i pari që zbuloi, duke i botuar tek “Hylli i Dritës”, bukurinë mbresëlënëse të asaj poezie të qashtër, deri atëherë injoruar e lënë pas dore ngaqë mbahej si përkthim i zbehtë e servil nga serbokroatishtja. Përkundrazi, sipas nesh kemi të bëjmë me motive migruese të përbashkëta për të gjithë botën ballkanike (i referohemi vetëm asaj, por rrethi mund të zgjerohej) përpunuar sipas mënyrës së vet nga populli shqiptar.
Fragment nga eseja “Rapsodë dhe rapsodi të Alpeve shqiptare” (Titulli është redaksional)
Koliqi, modeli etik dhe estetik
Shqisa, intuita dhe durimi intelektual janë lakmuese për çdo studiues për mënyrën se si Ernest Koliqi i ka sjellë kulturës shqiptare një nga librat më sublimë siç është “Eseja e letërsisë shqipe”. Ashtu siç jemi njohur me vonesë për shkak të punës së tyre në gjuhë tjetër nga shqipja, pra siç ishte botimi i Mit’hat Frashëri nga frëngjishtja e eseve, edhe ky botim i Ernest Koliqit i vjen lexuesit shqiptar nga italishtja. Studiuesja Dhurata Shehri është përkthyesja e kësaj përmbledhjeje me ese, që del nga treg nga botimet e Institutit të Dialogut dhe Komunikimit.
Ky botim është një përmbledhje e botuar në Italia në vitin 1972, ku përfshihen kontribute, kumtesa e artikuj të mbajtur në konferenca e kongrese të ndryshme shkencore të botuara jashtë Shqipërisë, të cilat rrokin një periudhë kohe 15-vjeçare, duke filluar nga viti 1953 deri në vitin 1968. Fragmenti i mësipërm, i shkëputur për t’u njohur më shumë me një stil metode nga ana e Koliqit, na bëjmë të kuptojmë jo vetëm skrupulozitetin, por një vazhdë mendimi me të cilën ishin rreshtuar gjithë elita e shekullit XX, pra një lloj zgjimi vetëdije për pyetjen më kardinale: kush jemi? Gjithë psikologjia shqiptare, sidomos e asaj treve ku shkeli Koliqi, padyshim që shihet sot si një ngjashmëri mitike duke dhënë në një universaliteti estetik botën e vogël dhe të çuditshme të malësorit shqiptar. “Ai ka dashur të nënvizojë nga ajo botë sidomos ato aspekte të veçanta që të rrëshqasin nëse lë pas dore trashëgiminë e traditave arkaike, besimeve, besëtytnive e paragjykimeve, por edhe tërësisë së cilësive të brendshme njerëzore e etnike që karakterizojnë e dallojnë genin shqiptar”, - është shprehur prezantuesi në njohjen e librit nga botuesi.
Së bashkime “Antologjisë së lirikës shqiptare”, Koliqi sjell gjithëpërfshirjen e traditën duke nga krijuar model etik dhe estetik të trajtimit të letërsisë, qoftë për lexuesin shqiptar, por dhe atë të huaj.