E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruli inspekton Uzinën e Ferrokromit në Elbasan



“Albanian Chrome ACR” priti dje në Uzinën e Ferrokromit në Elbasan ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Genc Ruli, në një vizitë për inspektimin e investimeve të kryera nga kjo kompani në këtë vepër. “Albanian Chrome ACR” e informoi ministrin Ruli mbi planin e realizuar të investimeve në Uzinën e Ferrokromit në Elbasan, ku deri tani janë përmbushur në vlerë mbi 10 milionë euro investime. “Investimet tona kanë realizuar rikonstruksionin teknologjik të furrave të uzinës, për të disafishuar prodhimin në përputhje me planin e sanksionuar në kontratën koncensionare dhe për të përmirësuar efektet mjedisore”, – deklaroi Heinz Muller (shqiptohet: Hajnc Myler), president i kompanisë që ka nënshkruar këtë kontratë koncensionare. Në mars të vitit 2008, “Albanian Chrome ACR” përmbylli me sukses rikonstruksionin e furrës së parë. Për më se 9 muaj kjo furrë prodhoi rreth 1.500 ton ferrokrom me karbon të lartë në ditë, ndërsa 160 punonjës përfituan të ardhura të larta falë një sistemi nxitës pagesash kundrejt ritmeve të prodhimit. Në qershor të vitit 2008 përfunduan punimet e ndërtim-montimit edhe në furrën e dytë. Por ndërkaq kriza botërore preku rëndë tregun botëror të metaleve, duke e ulur çmimet e shitjes së ferrokromit poshtë kostove reale të prodhimit. Kjo situatë solli ndërprerjen e prodhimit në furrën e parë të rehabilituar, por jo ndaljen e ciklit të nisur të investimeve. “Ne mbetëm dhe jemi të angazhuar plotësisht për të realizuar të gjitha detyrimet tona kontraktuale në lidhje me investimet e marra përsipër, sepse ne besojmë tek ky vend dhe tek potencialet e tij”, – deklaroi Heinz Müller (shqiptohet: Hajnc Myler). “Albanian Chrome ACR” ka vazhduar investimet për furrën e tretë të uzinës, e cila duhet të prodhojë ferrokrom me karbon të ulët, shumë i kërkuar nga tregu. Ky proces vazhdon. Në ndërkohë – edhe pse jashtë procesit të prodhimit, 160 punonjësit e uzinës së ferrokromit në Elbasan qysh prej nëntorit 2008 paguhen me rreth 35.000 – 40.000 lekë në muaj, çka përfaqëson rreth 60% të pagës nominale të tyre.

“Albanian Chrome ACR” zhvillon në Shqipëri një kontratë koncesioni ku përfshihet afro 50% e aseteve të industrisë së kromit në vend dhe ku bën pjesë edhe miniera e Bulqizës, uzina e Ferrokromit në Burrel, uzina e Ferrokromit në Elbasan, fabrika e pasurimit të kromit në Klos dhe disa vepra të tjera më të vogla.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›