E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hegjemonia e qendrës së djathtë



Partitë Popullore Evropiane thellojnë epërsinë ndaj socialistëve. Fitore të qarta të formacioneve politike të Merkel-it, Sarkozy-së dhe Berlusconi-t, rënie në batak për laburistët e Brown-it

Sipas të dhënave paraprake zyrtare, e djathta ka rezultuar më e votuara në Evropë, e ndjekur nga socialistët. Më pas janë rreshtuar të Gjelbrit euroskeptikë, ekstremi i djathtë dhe ai i majtë. Partitë Popullore Evropiane munden të sigurojnë rreth 40% të votave - ndërkohë që në legjislaturën pararendëse ishin të kuotuara me 36% - duke siguruar kështu, me shumë gjasa, nga 263 deri në 273 vende nga numri i përgjithshëm. Grupimi Socialist Evropian lëkundet nga 155 deri në 165 eurodeputetë - me 26% të votave të përgjithshme - ndërkohë që në legjislaturën pararendëse të vitit 2004, gëzonin një mbështetje prej 27.6%. Në vend të tretë rreshtohen liberalët, me 78 deri në 84 përfaqësues.

Në sallën e Parlamentit kanë fituar peshë edhe të Gjelbrit. Në kontrast me ta, ulet ndjeshëm përfaqësimi i grupimit "E Majta e Bashkuar" që mund të përfitojë nga 33 deri në 37 vende (nga 41 që kishte pasur). Sovranistët e "Unionit për një Evropë të Kombeve" mund të sigurojnë nga 33 deri në 37 deputetë, ndërkohë që, ka rënë niveli i përfaqësimit të euroskeptikëve të grupimit "Pavarësi dhe Demokraci", të cilët përfitojnë 15 a16 vende - në vitin 2004 kishin siguruar 22 të tilla. Në sallën e Parlamentit do të jenë të pranishëm edhe 83 deri në 89 parlamentarë, që i përkasin atyre grupimeve që në legjislaturën pararendëse. nuk ishin të pranishëm. Si për shembull konservatorët britanikë.

Pjesëmarrja

Kjo Asamble, edhe pse ka zgjuar disi më pak interes se ajo e mëparshmja e vitit 2004 - rreth 2% më pak - përbën padyshim një pikë kyçe për zhvillimin e Bashkimit Evropian dhe zgjedhjen e drejtuesve të saj. Parlamenti i ri dhe kreu i Komisionit të ardhshëm të Brukselit, varen nga mbështetja që do të gëzojnë në sallën e Parlamentit Evropian.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Javier Solana, është i vetëdijshëm që "Evropa ka nevojë të veprojë më e koordinuar mes vetes", - në intervistën e dhënë me këtë rast në shtojcën " E diela" të kësaj gazete. Me këto rezultate, partitë e Angela Merkel-it, Nicolas Sarkozy-së, kanë fituar medaljen e artë të triumfuesit të garës. Ndërkohë, i kryqëzuari i vërtetë i këtyre zgjedhjeve rezultoi Gordon Brown.

Gjermania

Qendra e djathtë gjermane, koalicioni CDU-CSU, e udhëhequr nga Kancelarja federale Angela Merkel, ka rezultuar triumfuese në zgjedhjet evropiane. Në këtë mënyrë, rezultatet i japin të drejtë Kancelares. Në një intervistë të dhënë kësaj gazete, Merkel ka deklaruar se "ndihet shumë e sigurt më punën e bërë nga qeveria dhe aleatët e saj në këto katër vite". Sipas rezultateve zyrtare, koalicioni i Merkel-it gëzon një mbështetje prej 38% të zgjedhësve gjermanë, ndërkohë që Partia Socialdemokrate (SPD) është kuotuar në 21.5%. Këto zgjedhje evropiane shihen në Gjermani si një test paraprak për Asamblenë Federale të 27 shtatorit (zgjedhjet e përgjithshme - shën. im), prej nga grupimi i udhëhequr nga Angela Merkel (CDU-CSU) të bëjë koalicion vetëm me liberalët e FDP-së. Gjermania, si një nga motorët kryesorë të Bashkimit Evropian, është vendi i përfaqësuar me më shumë deputetë në Parlamentin Evropian, 99 përfaqësues.

Franca

Formacioni politik qeverisës në Francë, Unioni për një Lëvizje Popullore (UMP), i drejtuar nga Nicolas Sarkozy, ka fituar zgjedhjet për në Asamblenë Evropiane, i ndjekur nga Partia Socialiste (16,96%) dhe ekologjistët evropianë (15,02%). Kriza ekonomike, që shkaktoi një valë protestash masive të punëtorëve në Francë, nuk e mposhti dot formacionin politik të udhëhequr nga Sarkozy, që ka thelluar diferencën me socialistët. Francezët u janë drejtuar kutive të votimit për këto zgjedhje për të shtatën herë, qysh prej vitit 1979, për të zgjedhur 72 përfaqësuesit e tyre në Parlamenti e ri Evropian.

Italia

Partia "Populli i Lirisë" e udhëhequr nga Silvio Berlusconi, është fitimtarja e këtyre zgjedhjeve me rreth 35.4% të mbështetjes popullore, ndërkohë që e majta italiane e udhëhequr nga Dario Franceschini (pasardhësi i Valter Veltronit - shën. im) është renditur e dyta me afro 10% më pak 25.4%, ndërkohë që e treta është renditur "Lega Nord" e Umberto Bossi-t. Misteri i këtyre zgjedhjeve mbetej pa dyshim impakti që do të shkaktonte te Partia e Berlusconi-t "skandali i fotove" të botuara nga vetë kjo gazetë, “El Pais”, që përtej kësaj, ai (Berlusconi - shën. im) ia doli mbanë të jetë fitimtari.

Britania e Madhe

Ajo që i druheshin laburistët për Gordon Brown-in, ndodhi. Rezultatet e para zyrtare e rendisin si forca e tretë në vend, me 14% të mbështetjes popullore, shumë pas konservatorëve (me 29%) dhe nacionalistëve të UKIP (me 17%). Ndërkohë që liberalët, me një shifër të përafërt me 14% (po aq sa edhe laburistët - shën. im) nuk do të ishte habi që të renditeshin të tretët, në çastet e fundit. Ndërkohë që ekspertët shtrojnë pyetjen se edhe për sa kohë do të mundet të mbijetojë kreu i qeverisë së majtë pas skandaleve të njëpasnjëshme me shpenzimet publike të parlamentarëve laburistë, me dështimin në zgjedhjet lokale të së enjtes së shkuar, me rezultatin katastrofik në zgjedhjet evropiane, si dhe me dorëheqjet e njëpasnjëshme të anëtarëve të kabinetit të tij qeveritar. Sidoqoftë, Kryeministri britanik ka deklaruar publikisht të dielën e shkuar - në një takim me anëtarë të Partisë Laburiste në Londër - se "do t'i shkojë deri në fund", pavarësisht se ç'mund të ndodhë më pas.

Spanja

Ashtu siç e kishin parashikuar edhe sondazhet, Partia Popullore Spanjolle ka rezultuar fituese (me 43%) e zgjedhjeve evropiane, duke siguruar 23 vende nga 21 të Partisë Socialiste të Jose Luis Zapatero-s (me39%). Partia Popullore, nëpërmjet këtyre zgjedhjeve, i kishte vënë pikësynim vetes për të fuqizuar imazhin politik të liderit të saj, Mariano Rajoy, e për më tepër për të dobësuar ekzekutivin e Zapatero-s që është përfshirë në një krizë të plotë. Gjithsesi, sipas analistëve, rezultati i Partisë Popullore është paksa larg asaj që prisnin më entuziastët e popullorëve, për të siguruar një diferencë me më shumë se dy vende, që të flitej më pas për ndryshimin e kursit politik në Spanjë.

Portugalia

Partia Socialiste e Kryeministrit portugez, José Sócrates, është mposhtur në zgjedhjet evropiane nga qendra e djathtë, edhe pse pjesëmarrja në këto zgjedhje në Portugali mbërriti në shifrat e 40%-shit. Sipas të dhënave zyrtare, PS-ja ka arritur të sigurojë 26.25% të mbështetjes, çka do të thotë më shumë se 18% më pak se në zgjedhjet e mëparshme evropiane të vitit 2004. Fitimtarët e mëdhenj, pa dyshim janë ata të Qendrës së Djathtë, me 33.07% të mbështetjes popullore. Për më tepër, në këto zgjedhje kanë fituar edhe forcat josocialiste, që në total kanë arritur 20% të mbështetjes popullore, aleanca e të gjelbërve me komunistët në 10.21%. Ndërsa nga ana e saj, formacioni i dytë i të djathtës portugeze, mbështet prej 8.3% të votuesve.

Finlanda

Fitimtarët e zgjedhjeve rezultuan konservatorët e Partisë së Koalicionit Kombëtar, me 22% të votave. Në vend të dytë u renditën liberalët e Kryeministrit Matti Vanhanen (19,5% të votave dhe tri vende në Parlament), dhe më pas socialistët (17,6%) dhe të gjelbrit (12,1%), respektivisht me dy dhe një vend, në sallën e Parlamentit Evropian.

Holanda

Në Holandë u shpall fituese E Djathta Popullore. Formacioni politik i drejtuar nga antieuropeisti Geert Wilders - politikani më i njohur në vend - ia arriti të renditej si forcë e dytë në vend, duke siguruar 4 vende në Parlamenti Evropian. Duke iu afruar rezultatit që kanë siguruar partitë koalicioniste të qeverisë holandeze, ato të kristiandemokratëve (CDA) dhe laburistëve (PvdA), me respektivisht pesë dhe katër vende në Parlamentin Evropian.

*Editoriali i datës 8 qershor

Përgatiti në shqip: Zamir Gjurgji

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›