E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëfehet Arbën Xhaferri

“Arbën Xhaferi rrëfen: Në Tetovë, në kërkim të kuptimit”, u promovua mbrëmë në Prishtinë. Libri me parathënie të Veton Surroit tashmë ka dalë në treg në Kosovë dhe shumë shpejt do të vijë edhe në Shqipëri

Rrëfehet Arbën Xhaferri

Pesë muaj bashkëbisedim mes gazetarit Enver Robelli dhe politikanit më emblematik shqiptar në Maqedoni, Arbën Xhaferi, janë përmbledhur në më shumë se 180 faqe në librin me titull “Arbën Xhaferi rrëfen: Në Tetovë, në kërkim të kuptimit”, që u promovua mbrëmë në Prishtinë. Libri me parathënie të Veton Surroit tashmë ka dalë në treg në Kosovë dhe shumë shpejt do të vijë edhe në Shqipëri. Autori i këtij libri, Enver Robelli, është shprehur se ka zgjedhur pikërisht Xhaferin për një bashkëbisedim me lexuesin, për disa arsye. “Është më shumë se politikan. Është mjaft aktiv në jetën publike, në shumë debate, dhe bën dallim prej shumë intelektualëve të tjerë, të cilët kanë zgjedhur ose heshtjen ose oportunizmin”, - është shprehur në promovimin e librit autori. Sipas tij, ideja për të përmbledhur në një libër gjithë bisedat me Arbën Xhaferin i kishte lindur pas intervistës që kishte bërë për një nga rubrikat e tij si gazetar në “Koha Ditore”, titulluar “40 pyetje, 40 përgjigje”, ku politikani më emblematik shqiptar në Maqedoni shtjellon në mënyrë brilante mendimet e tij për politikën, kulturën dhe filozofinë, për ndëretnikën dhe shqiptarizmën. Në përshkrimin që i bëhet librit “ai flet për Tetovën e viteve të rinisë, për Prishtinën e trazuar nga politika dhe për Tiranën e dikurshme“. Por Robelli ka treguar edhe ato që atij i kanë bërë përshtypje nga rrëfimi i Xhaferit. “Përveç pjesës ku ai flet për politikë, që është shprehur vazhdimisht, rrëfimi për fëmijërinë e tij, për kohën sa ka jetuar në Prishtinë dhe zbulimi i disa prapaskenave të asaj sesi është arritur Marrëveshja e Ohrit”, ka veçuar Robelli. Libri promovohet pikërisht në dhjetëvjetorin e Marrëveshjes së Ohrit, që i hapi rrugë zgjidhjes së çështjes politike të shqiptarëve në Maqedoni. I pranishëm në promovim ishte edhe vetë Xhaferi. Në parathënien e shkruar nga publicisti Veton Surroi sillen momente e bisedash interesante mes tij dhe Xhaferit. Parathënia e tij që mban titullin “Arbën Xhaferi - Dënimi me të menduar” nis me një takim “në kafen e Pizhit, në Prishtinën e vitit 1992, e okupuar nga forcat serbe, me dhjetëra e mijëra shqiptarë të papunë”. “Desha të të tregoj: kam vendosur të kthehem në Tetovë, më thotë”, kujton Surroi t’i ketë thënë Xhaferi. E, ai do të kthehej në Tetovë, siç mban titullin libri, në kërkim të kuptimit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›