E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kaos me masterat, 2 vite të pamjaftueshme

Autori i Lajmit: Marsela Xibraku
Pas ndryshimeve të bëra në sistemet e shkollave të larta dhe hyrjen e sistemit të Bolonjës, duket se çdo gjë është bërë e paqartë për studentët.
Ata që tashmë kanë mbaruar me sistemin e Bolonjës dhe kanë filluar studimet ne MNP dhe DNP, nuk dinë nëse këto studime i çojnë në Doktoraturë dhe as nëse i duhet të bëjnë apo jo edhe një Master të dytë.
Pengesat
Por, ky problem nuk është i vetmi që shfaqet. Personat e interesuar për të ndjekur një master të nivelit të dytë janë edhe ata që kanë mbaruar me sistemin e vjetër. E pyetur në lidhje me këtë zv. dekania e Fakultetit të Histori-Filologjisë, Valentina Duka thotë se: “Kërkesat për miratimet e masterave të sistemit 4-vjeçar janë dorëzuar që në muajin mars, por nuk kanë gjetur miratimin e Agjencisë së Akreditimit, e cila i ktheu vetëm pas disa muajsh, sipas të cilëve nga universiteti nuk plotësohen disa kritere si p.sh dorëzimi i kopjeve të diplomave. Ajo shprehet se e ka ngritur si shqetësim dhe se çështja do të bisedohet sërish pas janarit të vitit që vjen. Gjithashtu, ajo shprehet se fjala Master nuk është korrekte, dhe se këto janë studime të thelluara pasuniversitare, studentëve iu duhen dhe 60 kredite për të kaluar në Doktoraturë, ndërsa atyre të sistemit të vjetër i nevojiten vetëm dy vjet studime”. Kështu, studentëve të sistemit të vjetër iu duhet që të presin sërish. Vetë studentët shprehen të shqetësuar për vijueshmërinë e studimeve të tyre. Deri tani universitetet publike në vend nuk kanë ofruar ndonjë mundësi të re për ata persona që kanë një diplomë të sistemit të mëparshëm të shkollës së lartë. Pra, ata që kanë një diplomë universitare 4-vjeçare. Ministria e Arsimit ende nuk i ka shpallur kuotat, procedurat, kriteret, të paktën asgjë nuk është bërë publike, as në faqen zyrtare nuk ka të dhëna se si do të procedohet me studentët e sistemit 4-vjeçar. Zëdhënësja e Ministrisë së Arsimit, Ermelinda Muho thotë se: “Janë vetë universitetet që propozojnë kuotat, procedurat, kriteret, dhe është Agjencia Publike e Akreditimit ajo që vendos standardet dhe miraton ose jo programet”
(Agjencia Publike e Akreditimit të Arsimit të Lartë ( APAAL ) është një institucion shtetëror dhe publik, pjesë e Sistemit të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë në Shqipëri). E gjitha kjo ka sjellë kaos total dhe dezinformimi e moskuptimi është më e pakta që mund të ndodhë. Studentët nuk e dinë se kur i mbarojnë përfundimisht të gjitha studimet. Asgjë nuk është e qartë deri tani dhe varianet që përfliten si të mundshme janë: Karta e Bolonjës 3+2+1+Doktoraturë, 3+2+2+Doktoraturë, sistemi i vjetër 4+2+Doktoraturë. Ajo që nuk dihet është se çfarë privilegjesh do të kenë ata që mbarojnë sistemin 3+2, se çfarë do t iu ofrojë tregu atyre që mbeten vetëm me sistemin trevjeçar, dhe çdo të bëhet me ata të sistemit të vjetër 4-vjeçar. E vetmja gjë që dihet deri tani është se studentët që kanë mbaruar sistemin trevjeçar dhe vazhdojnë studimet në ciklin e dytë, janë ndarë në tre programe të ndryshme studimi. Këto janë programet e studimit të ciklit të dytë (diplomë e nivelit të dytë, DND). Studime “Master” i nivelit të parë (MNP) si dhe Programet e dyta të studimit. Në “Master” të nivelit të parë u përfshihen të gjithë studentët, që qenë pjesë e sistemit 3+2, të Kartës së Bolonjës. Të gjithë studentët që përmbushën kriteret për të ndjekur një master të nivelit të dytë, i u morën për bazë disa kritere.
Si u përcaktuan kuotat
Kuotat për ata nga rrethet u vendosën në bazë të mesatares. Në fillim u tha se një master të tillë mund ta vazhdonin edhe ata që kanë mbaruar sistemin akademik 4-vjeçar, por deri tani megjjithëse kërkesa ka shumë, nuk dihet se çfarë do të bëhet, përderisa edhe institucionet kryesore nuk japin një përgjigje të prerë në lidhje me këtë, nuk dihet as nëse studentët e sistemit të vjetër do t i fillojnë këtë vit studimet. Ndërkohë, së shpejti do të fillojnë pagesat e tarifave të regjistrimeve për programet e studimit të ciklit të dytë me kohë të plotë për vitin akademik 2008_2009, të cilat kanë si afat kohor datën 5 deri në 20 janar.
Tarifat e shkollimit për masterat
Qeveria ka përcaktuar edhe tarifat vjetore të shkollimit për studentët, që do të regjistrohen në vitin e parë, për të gjitha programet e studimit të ciklit të dytë, më kohë të plotë, në vitin akademik 2008-2009. Kandidatët, që u përkasin shtresave sociale, si të verbër, ata që nuk dëgjojnë, invalidët, paraplegjikë dhe tetraplegjikë, studentë me aftësi të kufizuara, fëmijë romë apo fëmijë të policëve të vrarë ose të plagosur, për shkak të detyrës, ish-të përndjekur politikë, që do të fitojnë të drejtën në një program studimi, të ciklit të dytë, në institucionet publike të arsimit të lartë, do të paguajnë kuotë, në masën 50 për qind të tarifës së shkollimit. Këtë të drejtë do ta kenë edhe studentët e viteve më të larta, që u përkasin po këtyre shtresave sociale. Studentët i nënshtrohet vetëm një tarife vjetore shkollimi. Studentët përsëritës i nënshtrohen tarifës së shkollimit të vitit akademik, në të cilin vazhdojnë studimet. Në çdo program studimi, në ciklin e dytë të studimeve, me kohë të plotë, në vitin akademik 2008-2009, studentët e shkëlqyer nga cikli i parë dhe cikli i dytë nuk e paguajnë tarifën e shkollimit në vitin akademik pasardhës. Megjithatë pikëpyetjet dhe paqartësitë vazhdojnë të mbeten të shumta, aq sa asnjë student nuk e përcakton dot statusin e tij dhe nuk e di c është, cdo të jetë dhe cdo të bëhet në të ardhmen me programet e reja të studimeve.

Variantet
Karta e Bolonjës 3+2+1+doktoraturë, 3+2+2+doktoraturë, sistemi i vjetër 4+2+Doktoraturë

Përfshirja
Në “Master” të nivelit të parë u përfshihen të gjithë studentët, që qenë pjesë e sistemit 3+2, të Bolonjës

Pagesa
Nga data 5 janar deri më 20 janar është afati i lënë për të bërë pagesën për masterin e Bolonjës

Vendimi i Qeverisë

Bolonja, Tarifat e
shkollimit për Masterat

Në bazë të VKM nr. 1337 dt. 10.10.08 pika 6, tarifat vjetore të shkollimit për studentët që do të regjistrohen në vitin e parë për të gjitha programet e studimit të ciklit të dytë me kohë të plotë në vitin 2008 2009 janë:

Arkeologji 72000 lekë

Trashëgimi kulturore 72000 lekë

Të gjitha të tjerat 4800 lekë

Në bazë të pikës 7, tarifat vjetore të shkollimit për studentët që do të regjistrohen në vitin e parë të programit Master të nivelit të parë me kohë të plotë 2008-2009

Mësuesi, cikli i lartë, arsimi bazë 32000 lekë

Mësuesi për arsim të mesëm 32000 lekë

Të gjitha të tjerat 36000 lekë

Ky lajm është publikuar: 24/12/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›