E Diel, 1 Nëntor 2026

Kaos nga shpërthimi i vullkanit


Vazhdon të mbetet në kaos situata në sistemin ajror të transportit në qiellin europian, për shkak të resë dhe pluhurit vullkanik , nga vullkani që shpertheu pak ditë më parë në Islandë. Për këtë arsye është evakuuar popullsia e Fljotshlid në afërsi të zonës vullkanike , ndërsa besohet se problemet ajrore do të zgjasin për dy ditë.
Gjithashtu njoftohet se do të anulohen më shumë se gjysma e udhëtimeve apo lidhjeve ndërmjet Amerikës së Veriut dhe Europës. Në Gjermani, është mbyllur aeroporti i Frankfurtit . Autoritetet gjermane vendosën gjithashtu edhe mbylljen e aeroportit të Hamburgut. Pas shpërthimit të vullkanit Eyjallajokull në Islandë, sipas të dhënave të kontrollit të sigurisë së trafikut ajror gjerman në Frankfurt, është bllokuar pjesërisht edhe hapësira ajrore gjermane duke përfshirë aeroportet në Berlin, Dusseldorf, Koln, Hamburg, Munster, Bremen dhe Hannover.
Ndërsa në Britaninë e Madhe, bllokimi i fluturimeve është shtyrë edhe për disa orë të tjera. Edhe në aeroportet polake është shtyrë orari i bllokimit të linjave të fluturimit. Në Poloni, pjesa më e madhe e aeroporteve të vendit kanë pezulluar plotësisht punën. Probleme janë paraqitur për shkak të anulimit të fluturimeve edhe në Danimarkë ndërsa mediat raportojnë se është mbyllur edhe hapësira ajrore në Lituani. Si pasojë e reve të pluhurit vullkanik, raportohet se janë anuluar 17 mijë fluturime në Britaninë e Madhe, Belgjikë, Holandë, Francë, Gjermani, Poloni dhe në vendet baltike. Por reja gjigande e hirit vullkanik që ka përfshirë Europën pas shpërthimit të vullkanit në Islandë, mund të çojë në dështimin e samitit mbi ekonominë dhe financën në Madrid, pasi vështirësitë në qarkullimin ajror mund të sjellin mospjesëmarrjen e shumë prej ministrave të financave, sidomos atyre nordikë e që do të pasonte më pas me një dështimt të samitit.
Në axhendën e "Ecofin" janë parashikuar dy çështje kryesore, gjendja financiare e vendeve të zonës euro dhe situata e Greqisë.
Reja e hirit në qiellin europian, është krijuar pas shpërthimit të një vullkani që gjendej nën një akullnajë në jug të Islandës. Më shumë se 800 njerëz janë evakuar të mërkurën nga shtëpitë e tyre në atë zonë, pasi u raportua se akullnaja po shkrinte. Meteorologët thonë se reja e hirit do të vazhdojë të lëvizë në drejtimin juglindor. edhe kompanitë ajrorë në Itali, janë detyruar të anulojnë dhjetëra qindra fluturime për shkak të mbylljes së aeroporteve në Oaris, Amsterdam, Londër e Bruksel.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›