E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtine, vazhdon sot gjyqi ndaj Albin Kurtit

PRISHTINE- Gjykimi kundër Albin Kurtit është parashikuar të vazhdojë sot njoftoi dje Zyra për Informim e EULEX-it. Policia e Kosovës nuk arriti të arrestonte dje Albin Kurtin, pasi kundër tij ishte lëshuar një urdhër arrest nga gjykatësi kryesues. Madje policia bastisi paraditen e djeshme ambientet e “Lëvizjes Vetëvendosje” për prangosjen e Kurtit.

Albin Kurti akuzohet për organizim të demonstratës së 10 shkurtit 2007, ku mbetën të vrarë dy demonstrues dhe mbi 80 të tjerë u plagosën nga policia e UNMIK-ut, si dhe për thirrje për rezistencë.

Në seancën e djeshme avokati i caktuar sipas detyrës zyrtare, Avni Gjakova refuzoi të vazhdojë të ndihmojë Albin Kurtit dhe u largua nga gjykata pasi aktivistët e Vetëvendosjes e gjuajtën me vezë. Sipas EULEX avokati ka shkelur detyrën e tij zyrtare.

Gjykatësi kryesues ka vendosur që për mbrojtjen e Albin Kurtit ta caktojë një avokat tjetër sipas detyrës zyrtare, Musa Dragushën.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›