Kaosi gjithëpërfshirës i Amirës
‘Bota artistike e krijueses Amira Bërkolli anasjellet nga introdukti i frymës abstrakte gjeometrike në shkrirje të formave të nduarnduarta me një dozë të ngërthimit reflektoral të enformelit, në aspektin struktural të koloritit e deri te fryma asemblazhiste’, tha profesor Hivzi Muharremi në hapje të ekspozitës personale të krijueses Amira Bërkolli të titulluar “Kaosi gjithëpërfshirës i nënqiellit tonë” në Galerinë e Ministrisë së Kulturës në Prishtinë.
Profesor Muharremi vlerësoi se tablotë e përfshira në këtë cikël trajtohen që nga kompozimet e para e deri në ato të fundit të realizuara në forma vertikale-asociacion në mengieret e lashtësisë, deri te kombinimet e tablove me dimensione të vogla, me një kolorit më të çiltër e transparent në një hapësirë kompozicionale.
Sipas tij, krijuesja Bërkolli rëndësi të madhe i ka kushtuar jo vetëm kontekstit kohor, por edhe trajtimit të elementeve figurative duke filluar nga ngjyra, forma dhe linja.
Ndërsa autorja, Amira Bërkolli tha se kjo ekspozitë është si rezultat i punës së saj pesëvjeçare, ndërsa falënderoi të gjithë ata që kanë ndihmuar në realizmin e saj, me theks të veçantë profesorët, kolegët dhe Ministrinë e Kulturës.
Krijuesja Bërkolli është e lindur në Prishtinë me 1984, ndërsa ka përfunduar studimet master në drejtimin e Skulpturës në Fakultetin e Arteve në Prishtinë. Ka marrë pjesë në mbi 30 ekspozita kolektive dhe ka marrë çmimin Salloni i Gjilanit 3 në vitin 2011.
“Kaosi gjithëpërfshirës i nënqiellit tonë” është ekspozita e parë e autores Bërkolli ku janë të ekspozuara mbi 60 piktura të ndryshme dhe do të qëndrojë e hapur për vizitorët deri më 27 shkurt.