E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapelo: Anglia, "stacioni" im i fundit

Fabio Kapelo ka vendosur se çfarë do të bëjë në të ardhmen: pasi të mbyllë aventurën në krye të stolit të Anglisë, ish-trajneri i Milanit, Realit të Madridit dhe Juventusit do t‘i japë fund karrierës. "Përfaqësuesja angleze është skuadra e fundit që do të drejtoj. Kthimi në Itali? Jo, nuk do të ndodhë. Nuk më intereson". Lajmi u publikua nga tabloidi britanik "The Sun". 63-vjeçari mbylli çdo mundësi për t‘u kthyer në vendin e tij. Seria A italiane i ka dhënë shumë Kapelos, fillimisht si lojtar dhe më pas si trajner. Ish-mesfushori ka fituar katër tituj kampionë, tri me fanellën e Juventusit dhe i fundit, në sezonin 1978-1979, me Milanin. Si trajner, "timonieri" i "Tre Luanëve" ka fituar plotë pesë kampionate me kuqezinjtë dhe dy me Juventusin, në sezonet 2004-2005 dhe 2005-2006, që më pas iu hoqën bardhezinjve pas skandalit "Calciopoli". Katër Superkupa italiane, një Kupë UEFA dhe një Ligë Kampionesh plotësojnë trofetë e teknikut friulan me ekipet italiane. Pasi ka fituar në vendin e tij dhe u konfirmua si efikas edhe në Spanjë me Realin e Madridit (ku ka triumfuar me "merengues" në kampionatet 1996-1997 dhe 2006-2007), Kapelo ka përcaktuar edhe objektin e fundit të karrierës. "Dua të luaj në finalen e Botërorit", shtoi ai për "The Sun", ndërsa më parë kishte theksuar se ëndërronte që në finale përballë Anglisë të ishte Italia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›