E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapelo kërkon nga lojtarët respekt ndaj gjyqtarëve

Fabio Kapelo po bëhet gati të përdorë masa të ashpra ndaj futbollistëve të kombëtares që nuk respektojnë disiplinën edhe në klubet e tyre. Trajneri italian është skandalizuar nga ngjarjet e mesjavës në takimin Totenhem-Çelsi, ku Eshli Kol, Xhon Terri dhe Frenk Lampard kanë sulmuar në mënyrë të turpshme gjyqtarin Maik Raili, vetëm për një karton të verdhë. Sipas mediave angleze, Kapelo do të ndëshkojë këta lojtarë, të cilët nuk japin shembullin e mirë në fushën e lojës, duke ndjekur në këtë mënyrë edhe iniciativën e fundit të Federatës Angleze, që vazhdon të kërkojë më shumë respekt ndaj gjyqtarëve.

"Unë do t‘ju mësoj respektin", ishin thuajse të gjithë titujt e gazetave britanike të ditës së djeshme, të cilat kanë përcjellë shqetësimin më të fundit të trajnerit italian të Anglisë. Kapelo ka qenë në stadium gjatë ndeshjes mes Çelsit dhe Totenhemit, duke parë se si disa prej futbollistëve të njohur të kombëtares angleze kundërshtuan vendimet e gjyqtarit të ndeshjes. Gjithçka filloi pas një faulli të rëndë të Eshli Kol ndaj Alan Haton, i ndëshkuar me një karton të verdhë nga gjyqtari Raili. Por futbollisti i kombëtares nuk ka kursyer kritikat ndaj gjyqtarit dhe i mbështetur nga Lampard, Terri dhe Drogba, nuk ka kursyer sharjet dhe gjestet ndaj "xhaketës së zezë". Ky spektakël i shëmtuar ka acaruar jo vetëm opinionin sportiv, por edhe drejtuesit e Federatës Angleze, e cila kishte filluar një fushatë për respektin ndaj gjyqtarëve. Një faj të madh në këtë çështje ka edhe Raili, i cili nuk ka përfshirë në protokollin e ndeshjes incidentin në fjalë, por mendohet se një gjë e tillë nuk do të ndodhë më pasi do të përdoret prova televizive. Megjithëse Kol kërkoi falje për faullin dhe reagimin, duket se për të po bëhet gati një skualifikim në kampionat. Ideja e drejtuesve të Federatës është që të ketë penalizime edhe për klubet në raste të tilla, një sistem që është përdorur disa vite më parë. Vetë drejtuesit e federatës kanë bërë të qartë se Fabio Kapelo është shprehur "shumë i zhgënjyer" nga ajo që ka parë në stadiumin "Uajt Hart Lein" dhe se do të japë "leksione sjelljeje" gjatë grumbullimit të radhës në kombëtare. Pas incidentit të fundit, duket se Xhon Terri ka humbur përfundimisht mundësinë për të ruajtur shiritin e kapitenit në kombëtare. Kapelo nuk e sheh atë si një shembull ideal për shokët e skuadrës, duke preferuar që shiritin ta mbajë Stiven Xherard apo Rio Ferdinand.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›