E Shtunë, 31 Tetor 2026

Red Bull rrezikon përjashtimin

Skuadra e Formula 1, Red Bull rrezikon të përjashtohet nga gara e kësaj fundjave, e vlefshme për Çmimin e Madh të Malajzisë. Shkak është bërë evidentimi i komisarëve të pistës, të cilët i kanë klasifikuar makinat e kësaj skuderie "si të pasigurta për të garuar". FIA ka hapur një hetim pas aksidentit që ka përfshirë pilotin Devid Kulthard gjatë provave të para: në kthesën 12, amortizatorët e pjesës përpara nuk kanë mbajtur dhe njëvendëshja Red Bull RB4 ka dalë nga pista. Zyrtarët e Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit dhe komisarët e pistës i kanë kërkuar teknikëve të skuadrës një raport të detajuar teknik rreth makinës dhe nuk përjashtohet mundësia që skuadra e drejtuar nga Kristian Horner mund të përjashtohet. "Komisarët janë takuar me drejtuesit e skuadrës dhe teknikët e Red Bullit rreth aksidentit të makinës me numër 9 në provat e para të Çmimit të Madh të Malajzisë", lexohej në një deklaratë për shtyp. "Është kërkuar një raport i detajuar për të verifikuar shkakun e dëmtimit të amortizatorëve, në mënyrë që makina të mos konsiderohet ‘e rrezikshme‘". Edhe gjatë fundjavës së kaluar, makina e Kulthard është dëmtuar shumë keq pas një përplasje me Ferrarin e Felipe Masës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›