E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkëlzen Berisha: E vërteta e akuzave ndaj meje

Dje më datë 19 mars 2007 në dy të përditshme është botuar një letër e një individi të quajtur Gery Kokalari. Letra servir një zinxhir thashethemesh që kushdo mund t’i tjerrë për këdo dhe që nuk mbështeten në asnjë lloj prove. Duke mos u zgjatur në arsyet evidente që shtyjnë farkëtimin e shpifjeve në këto ditë fatkeqësie, dëshiroj të informoj opinionin sa vijon:
Me përgjegjësi të plotë ligjore deklaroj: 1 - Çdo pretendim apo aludim për përfshirjen time në tregti të ligjshme apo të paligjshme armësh është i pavërtetë dhe përben shpifje. 2 - Nuk kam takuar kurrë personin të cilit i referohet biseda (z.Diveroli) dhe nuk kam pasur asnjë lidhje me të, me biznesin e tij, apo me nënkontraktorët e tij. 3 - E gjithë dijenia ime për çështjen në fjalë konsiston në këtë episod: Gjatë verës (data nuk më kujtohet), një miku im më kërkoi të prisja në takim një person të quajtur Kosta Trebicka, për një shqetësim të këtij të fundit. Në vijim, në prani të mikut tim, për herë të parë dhe të fundit, kam takuar z.Trebicka. Duke m’u prezantuar, z.Trebicka me sqaroi se ishte pronar i një kompanie shqiptare që pretendonte të nënkontraktohej nga një kompani amerikane, e cila kishte kontrate me Ministrinë e Mbrojtjes. Z.Trebicka ngriti pretendimin se përfaqësuesi i kompanisë amerikane i kish thënë atij se unë i kisha kërkuar kompanisë amerikane që të mos zgjidhte për nënkontraktor z.Trebicka, por një kompani tjetër. Në prani të personit që e shoqëronte, i thashë z.Trebicka se një gjë e tillë ishte e pavërtetë; se unë kurrë nuk e kisha njohur shtetasin amerikan për të cilin bëhej fjalë; dhe se kurrë nuk i kam sugjeruar atij ose ndonjë tjetri lidhjen ose jo të kontratave në një sferë të tillë aktiviteti. I bindur se kjo ishte thjesht një trillim, ose në rastin më të mirë një keqkuptim, i kërkova z.Trebicka ballafaqim me shtetasin amerikan të cilit ai i referohej. Z. Trebicka me tha se ishte i bindur që bëhej fjalë për një spekulim dhe u largua pa organizuar kurrë një ballafaqim të tillë. Kjo ishte hera e parë dhe e fundit që unë kam takuar z. Trebicka. E gjithë kjo bisedë është bërë në prani të personit i cili më kish kërkuar një takim për z.Trebicka.
4-Vazhdoj të mbetem i hapur dhe i gatshëm për çdo ballafaqim me personin në fjalë apo këdo tjetër që ka pretendime të ngjashme, pasi e konsideroj investigimin në çështje të tilla si një e drejtë legjitime e kujtdo. Por mbetem gjithashtu i vendosur për të marrë të gjitha masat ligjore të mundshme, për të mos lejuar askënd të përlyeje pa prova dhe fakte emrin dhe reputacionin tim dhe të familjes sime.
Në këtë kontekst inkurajoj shtypin t’i shkojë deri në fund hetimit të kësaj çështjeje por e ftoj të largohet nga shpifjet dhe abuzimet e pabazuara në fakte.
Me respekt,
Shkëlzen Berisha

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›