Biznesi: Bankat po rrisin tarifat e komisioneve
Konfindustria i kërkon qeverisë të rishikojë ligjin për kalimin e pagave në bankë, pasi po hasen abuzime nga operatorët
TIRANË - Zyra e Konfindustrias i kërkon qeverisë që të shfuqizojë detyrimin ligjor të marrë në vitin 2007 për kalimin e jo më pak se 90 për qind të pagesave vjetore të bizneseve nëpërmjet sistemit bankar. Kërkesa e mësipërme vjen si pasojë e rritjes së ditëve të fundit të kostos së komisioneve të transaksioneve për biznesin, nga një numër bankash të nivelit të dytë.
Shkak për parashtrimin e kësaj kërkesë, sipas Konfindustrias, janë bërë shqetësimet e vëna re ditët e fundit, se mjaft banka të nivelit të dytë kanë rritur vlerën e komisioneve bankare, që bizneset dhe qytetarët duhet të paguajnë për transaksionet, që kryejnë nëpërmjet bankave. "Ngritja e menjëhershme e komisioneve bankare, që bizneset janë të detyruar të paguajnë, godet në radhë të parë drejtpërdrejt industrinë e vendit, sepse nga njëra anë rrit në mënyrë të paarsyeshme kostot e prodhimit dhe, nga ana tjetër, ul fuqinë blerëse të qytetarëve. Kostot financiare shtesë, që bizneset dhe qytetarët paguajnë për komisionet bankare shkojnë për të rregulluar bilancin e keqësuar të bankave, si pasojë e tkurrjes së kredidhënies dhe sidomos rritjes në masë shqetësuese të kredive të këqija si pasojë e subjektivizmit, korrupsionit dhe menaxhimit joprofesional, bashkangjitur me pasojat e krizës botërore në ekonominë shqiptare.
Në të njëjtën kohë, detyrimi i kalimit të 90 % të pagesave vjetore nëpërmjet bankave, ka çuar gjithashtu edhe në shtimin e vështirësive të qarkullimit të parave, aq shumë e ndjeshme në kushtet e mungesës së likuiditetit në ekonominë dhe, para se gjithash, në industrinë shqiptare", - citohet në kërkesën që përfaqësuesit e biznesit do t'i dërgojnë së shpejti qeverisë.