Kapen 35 kg hashash në Gjirokastër dhe Shkodër, 3 të arrestuar
Gjirokastër- Policia e Shtetit në dy asione të ndryshme ka bërë sot sekuestrimin e 35 kg droge të llojit kanabis, ndërsa është bërë arrestimi i tre personave.
Fillimisht 20 kg lëndë narkotike u kap në qytetin e Gjirokastrës dhe u bë arrestimi i dy të rinjve, Gertjan Hamdiu, 19 vjeç dhe Aldo Dhimitri, 23 vjeç.
Në një deklaratë për mediat policia shprehet se ata kanë qenë duke lëvizur me makinë nga Lazarati drejt Tiranës, ndërsa është bërë ndalimi i tyre në postobllokun e Ujit të Ftohtë.
Nga kontrolli i ushtruar u vu re se poshtë sediljes së parë të pasagjerit u gjetën dy pako me kanabis. Kontrolli ka vijuar më tej dhe në brendësi të veshjeve anësore të sediljes u gjetën 19 pako të tjera.
Nga marrja e tyre në pyetje ka rezultuar se droga është marrë në fshatin Lazarat nga një person i skeduar në dosjet e policisë, ndërsa është bërë shpallja në kërkim e tij.
Ndërkohë po mëngjesin e sotëm në Shkodër u bë sekuestrimi i 15 kg kanabis, si dhe u arrestua një person. Droga është ndaluar tek Hidrovori i Hotit, rreth 500 metra larg kufirit me Malin e Zi. Për pasojë u bë arrestimi i shtetasit Kristian Takaj, ndërsa u shpall në kërkim Kastriot Isugfaj. Mësohet se destinacioni i lëndës narkotike ishte Mali i Zi.