E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rruga e tretë

Kur në vitin 2000 Anthony Giddens shkruante “Rruga e tretë dhe kritika e saj”, dy nga liderët më të mëdhenj të botës, Tony Blair dhe Bill Klinton, kishin tentuar ta aplikonin në vendet e tyre dhe jo pa sukses. Klinton kishte dështuar në reformën shëndetësore, që është edhe një ndër shtyllat kryesore të shoqërisë së përfytyruar nga Giddens, ndërsa Blair nuk kishte mundur të edukonte anglezin e ri paredashës të formuar nga gjashtëmbëdhjetë vjet qeverisje konservatore. Por shoqëritë që ata lanë pas, ishin më të mira dhe më njerëzore nga sa i kishin gjetur.
Me rënien e komunizmit, e majta u ndodh përballë një prej dështimeve të saj. E djathta ishte në baticë, ndërsa e majta në proces reflektimi. Ndërkohë, në ambientet akademike, ishte pjekur mendimi se socialdemokracia mund të ishte ende një ofertë ndjellëse, nëse i bëheshin korrigjimet e duhura. Nuk do të ishte më shteti që do të kujdesej dhe do të shoqëronte qytetarin nga djepi deri në varr. Por mekanizma të tërthortë që ndihmonin individin në vazhdën e jetës së tij, pa e bërë të varur nga ndihma e shtetit, ose thënë me fjalë të tjera, një shtet që nuk do ishte patericë, por edukator që e ndihmonte individin të ecte vetë.
Nëse do të kërkonim diçka të ngjashme, me shoqërinë ideale të socialdemokracisë, atëherë kjo ka ndodhur në vendet skandinave. Por është një shembull vështirë i imitueshëm. Janë vende me një traditë protestante, që do të thotë me edukatë puritane dhe ndershmërie në raporte me partnerët, qofshin këta individë apo shteti. Janë popuj ku kultura politike është formësuar në mënyrë që alternimi i të djathtës me të majtën, nuk nënkupton rrafshimin e arritjeve të paraardhësit. Përkundrazi, për reformat esenciale, vendimmarrja politike bëhet me marrëveshje të gjerë bipartizane.
Kjo eksperiencë, është tentuar të futet edhe në përmasa më të mëdha, si në rastet e vendeve që janë shumëfishi i madhësisë së vendeve skandinave të marra sëbashku. Në një farë mënyre, kjo është edhe përpjekja e mendimtarëve të socialdemokracisë, përfshirë Giddensin. Gjermania dhe Britania, janë vende ku eksperimenti me modifikimet përkatëse nuk ka dështuar. Sepse duhet thënë që në realitetin e ashpër, është goxha sukses që një eksperiment i përmasave kombëtare, social dhe ekonomik, së pari mos dështojë. Për vetë veçoritë e vendit, me përmasat demografike dhe të kulturës sociale, Klintoni në SHBA nisi rrugën. Obama, mes vështirësive të krizës dhe goditjeve që i vijnë nga e djathta republikane, po përpiqet ta shtrijë më tej nga sa e lanë Klintonët.
Prej këtij suksesi, po kërkohet që eksperienca e këtij eksperimenti të përgjithësohet. Nuk ka munguar e majta shqiptare. Në zgjedhjet e vitit 2009 Edi Rama dhe slogani i tij “Përtej të majtës dhe të djathtës”, ishte përkthim në shqip i “Rrugës së tretë” të Giddens. Përpjekje, e cila nuk i dha masën kritike të qeveriste vendin. E kuptueshme, po të kemi parasysh terrenin ku vepronte: Një vend ku ende klani është më i fortë në jetën e individit se sa komuniteti; ku ende jemi të zhytur në dilema para kombformuese si gjuha standarde; me ekonomi rudimentare dhe kulturë kapitalizmi embrionale; me etikë politike ku shqyerja e kundërshtarit me gjithë ai çka, është normalitet; ku t’ia hedhësh tjetrit, është sporti ynë kombëtar i preferuar dhe kush zihet në gënjeshtër a korrupsion, ka mëshirën e publikut për pamundësinë e tij që të fshihte zullumin.
Në të kundërtën me gjithë sa janë sëmundjet tona, “Rruga e tretë” është formulë për vende protestante; shpikës të shoqërive industriale; ku kufijtë shërbejnë vetëm për të treguar origjinën e prodhimit të mallit në një botë gjithmonë e më globale; kalorësiakë në respektimin e kundërshtarit, duke e parë si alternativë për tu konkurruar; shoqëri që problematikë kanë integrimin me emigrantët dhe jo me njerëz të të njëjtit komb; ku gënjeshtra konsiderohet e pafalshme, dhe rotacioni politik, detyrim jo vetëm i sanksionuar ligjërisht, por mbi të gjitha nga morali, dhe moralit nuk i shpiket kuptim i ri si ndodh në Shqipëri, sa herë duam të fshehim fëlligështinë tonë.
Politika, përpara se të jetë mjeti për të ndryshuar njerëzit, në Shqipëri dhe Kosovë, është arti i së mundshmes dhe mbijetesës. Një politikan shqiptar, përpara se të ndryshojë njerëzit, ka nevojë të mbijetojë. Ndaj do duhet kohë që “Rruga e tretë”, të ketë zbatim në Shqipëri. Deri atëherë dhe fjala “atëherë” nënkupton dekada, le të përpiqemi ta mësojmë se çfarë është. Rruga e tretë, para së gjithash, kërkon një shqiptar të ri, i ndryshëm nga ky që është sot, një shqiptar europian. Deri atëherë…. durim.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›