Kapen hajdutët e magazinës së firmës gjermane
Autorët u kapën në flagrancë nga patrullat e komisariatit nr.4, me sendet e vjedhura
TIRANË- Vidhnin pajisje shtëpiake dhe vegla pune, në një magazinë në kryeqytet duke i shitur në qytete të ndryshme të vendit. Kjo ishte skema e zgjedhur nga dy persona banues në periferi të Tiranës, të cilët dy ditë më parë u arrestuan nga policia.
Shpend Bega, 23 vjeç, dhe Zef Nikolli, 19 vjeç, të dy banues në Linzë të Tiranës, u arrestuan të dielën, pasi dyshohen të jenë autorë të vjedhjes së shumë materialeve në një magazinë në periferi të Tiranës, me vlera të konsiderueshme.
Dy të rinjtë u arrestuan këtë fundjavë nga forcat e Komisariatit të Policisë nr. 4, të dielën në mesditë. Magazina në pronësi të një personi nga Gjermania, ku dyshohet se janë vjedhur pajisjet si lavatriçe, frigoriferë dhe pompa lavazhi ndodhet në Linzë.
Nga burimet e policisë mësohet se dy të arrestuarit, duke shfrytëzuar dhe afërsinë e magazinës me banesat e tyre, dyshohet se kanë realizuar disa vjedhje, por që janë kapur në flagrancë nga patrulla e komisariatit nr. 4. Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dy të rinjtë e prangosur nga policia vjedhjet i kanë realizuar gjatë muajve të fundit.
Policia e Tiranës, konfirmoi dje se Nikolli dhe Bega, pasi vidhnin pajisjet në magazinën që ndodhet në Linzë, dyshohet se i dërgonin në qytete të ndryshme të vendit për t'i shitur. Oficerët e Policisë së Tiranës kanë nisur hetimet për të zbardhur skemën e plotë të vjedhjes së pajisjeve shtëpiake dhe materialeve të tjera. Nga hetimet paraprake, dyshohet se dy personat e arrestuar në fundjavë, janë edhe autorë të disa vjedhjeve të tjera të ndodhura në Tiranë. Policia dyshon se Bega dhe Nikolli janë autorë të vjedhjeve të disa banesave në kryeqytet, që kanë ndodhur gjatë muajve të fundit.
Dy të arrestuarit janë marrë në pyetje për skemën e realizimit të vjedhjes së magazinës që ndodhet në periferi të Tiranës. Ndërkohë, policia pas arrestimit të dy të dyshuarve për vjedhje, ka bllokuar dhe disa materiale të vjedhura si lavatriçe, frigoriferë dhe pompa lavazhi. Policia e Tiranës, në bashkëpunim me Prokurorinë do të vazhdojë hetimet ndaj dy të arrestuarve për veprën penale të "vjedhjes" e kryer në bashkëpunim.