E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapen tre kuintalë drogë nën shtresën e dyfishtë të karrocerisë

Një person i arrestuar pas dy muaj hetimesh, disa të tjerë në ndjekje nga policia. Droga e llojit hashash ishte me destinacion Greqinë

Vlorë-Afro tre kuintalë drogë e fshehur nën shtresën e dyfishtë të një kamioni që po shkonte drejt Greqisë, janë sekuestruar dje nga Policia e Sarandës. Kamioni me drogë, që drejtohej nga Ermal Ramaj, u ndalua në orët e para të mëngjesit të së hënës në vendin e quajtur “Krane”, përmes operacionit policor të koduar “Duralumini”. Policia tha se kishte pasur më herët informacione rreth transportit të drogës dhe se bëhej fjalë për një rrjet trafiku.

Hetimi

Policia tha se kishte rreth dy muaj që e ndiqte të arrestuarin dhe veprimtarinë e tij. Nga hetimi, agjentët e dinin paraprakisht se ku dhe me çfarë ishte ngarkuar kamionçina me të cilën ai ishte nisur drejt Greqisë. Burime nga policia thanë se para se të kryhej operacioni, ishte bërë ndjekje operative dhe në forma të tjera ndaj të dyshuarit dhe një grupi personash që mendohet se i siguronin atij drogën që e trafikonte për në shtetin fqinj.

Operacioni

Kështu dje, efektivët e antidrogës së Vlorës ndaluan në postbllok automjetin tip “Mercedes-Benz” me targë AA 273 AY, i cili ishte duke udhëtuar në aksin rrugor Gjirokastër-Sarandë. Ata kanë vendosur ta kontrollojnë atë, edhe pse në dukje nuk shihej asgjë e dyshimtë. Policia që kishte informacion të saktë për drogën, ka zbuluar se karroceria e makinës ishte e modifikuar me shtresë të dyfishtë. Menjëherë është vendosur të çmontohej kjo shtresë dhe pas kësaj u zbuluan 283.7 kg lëndë narkotike kanabis-sativa, e paketuar në pako 1 dhe 2-kilogramëshe dhe e mbështjellë me natriban. “Falë operacionit u arrestua në flagrancë drejtuesi i mjetit, 22-vjeçari Ermal Ramaj, banues në lagjen ‘28 Nëntori’ në Vlorë. Ndërkohë, policia e Vlorës dhe ajo e Sarandës po punojnë për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve të tjerë të përfshirë në këtë trafik”, njoftoi policia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›