E Diel, 1 Nëntor 2026

Operacion antidrogë në 5 shtete, pranga 4 shqiptarëve me 1.1 kg hashash

Katër persona nga Shkodra dhe Malësia e Madhe arrestohen si anëtarë të rrjetit ballkanik të hashashit, njëkohësisht me 16 të tjerë në Mal të Zi, që kishin trafikuar 367 kg hashash. Në Serbi, Bosnje e Kroaci, ende asnjë arrestim

Katër shtetas shqiptarë nga Shkodra, të dyshuar për trafik ndërkombëtar narkotikësh, u arrestuan dje në Tiranë në kuadër të një operacioni antidrogë të zhvilluar njëherazi në 5 vende të Ballkanit. Sipas policisë shqiptare bëhet fjalë për një operacion të koordinuar mes policive të 5 vendeve: Kroacisë, Bosnjës, Malit të Zi, Shqipërisë dhe Serbisë. Të arrestuarit janë: Leonard Dushi, Agim Hasaj, Leonard Sterkaj dhe Ervis Bici, të gjithë nga Shkodra. Operacioni i koduar “TRIO“ ka nisur që në orën 6 të mëngjesit në të 5 vendet ballkanike. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit bënë të ditur dje se nga Drejtoria kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Shkodër dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të këtij qarku, u finalizua operacioni "TRIO", i cili u zhvillua njëkohësisht edhe në 4 shtete të tjera, përkatësisht: Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovinë, Kroaci dhe Serbi. Ky operacion u zhvillua në kuadër të hetimeve të kryera ndaj një grupi të mirorganizuar personash, ndër të cilët edhe shtetas shqiptarë, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se kryenin aktivitetin kriminal të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Në kuadër të këtij operacioni është ushtruar kontroll në banesat e 12 shtetasve shqiptarë, ndërkohë që është marrë masa e arrestit për katër prej tyre. Sipas policisë, në shtëpinë e 41-vjeçarit Leonard Dushi u gjetën dhe sekuestruan një sasi prej 30 gramësh bimë e dyshuar narkotike, ndërsa në banesën e të arrestuarit tjetër, Agim Hasaj u gjetën dhe sekuestruan 475 gram bimë e dyshuar narkotike, si dhe 111 copë fishekë luftarakë e dy krehra pistolete. Edhe gjatë kontrolleve tek shtëpitë e dy të arrestuarve të tjerë në Malësi të Madhe, policia ka sekuestruar sasi të vogla lënde narkotike dhe pajisje që i implikon ata në krime që kanë lidhje me trafikun e drogës. Kështu, në shtëpinë e Leonard Stërkajt u gjetën 140 gram hashash, 1 makineri që shërben për presimin dhe ambalazhimin me vakum të lëndës narkotike, 8 aparate celularë dhe 2 automjete, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Po ashtu, në shtëpinë e Ervis Bicit u gjetën 520 gram bimë e dyshuar narkotike, 103 copë fishekë luftarakë, 2 aparate komunikimi në distancë, si dhe 1 automjet "Hammer". Burime nga Policia e Shtetit bëjnë me dije se katër të arrestuarit dyshohet të kenë lidhje me rrjetin ballkanik të trafikut të hashashit, edhe pse në shtëpitë e tyre janë gjetur sasi të vogla hashashi. Mëngjesin e djeshëm, këtij grupi iu sekuestruan 17 kilogramë hashash në veri të Bosnjës, ndërkohë që sasia e sekuestruar në të pesë shtetet është 367 kilogramë. Pas arrestimit, 4 shtetasit nga Shkodra dhe Malësia e Madhe u akuzuan për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, si dhe mbajtje të municioneve luftarake.

Të arrestuarit

Leonard Dushi, 41 vjeç, u kap me 30 gr hashash

Agim Hasaj, 35 vjeç, u kap me 475 gr hashash

Leonard Sterkaj u kap me 140 gr hashash

Ervis Bici u kap me 520 gr hashash

Sekuestrime

213 fishekë luftarakë

1 makineri që shërben për ndarje të lëndës narkotike

3 automjete: Wolsvagen “Golf – 5”, “Pasat”, “Hammer”

Operacioni “TRIO”, 16 të arrestuar në Mal të Zi

Aksioni antidrogë ka çuar në pranga 20 persona, ndërsa në Bosnje, Serbi e Kroaci nuk ka ende të arrestuar. Sasia e kapur deri më tani, 367 kg hashash

Operacioni policor rajonal, i koordinuar mes pesë shtetesh, solli edhe 16 të arrestuar në Mal të Zi, ndërsa shtetet e tjera janë duke kryer ende hetime. Mediat në rajon bënë me dije se operacioni i koduar ‘TRIO’ nisi me urdhër të prokurorëve të përgjithshëm të Kroacisë, Bosnjës, Malit të Zi, Shqipërisë dhe Serbisë, por arrestime ka pasur vetëm në dy vende. Në Bosnjë, një zëdhënëse e policisë nga Banja Lluka, Mirna Soja tha për radion kombëtare se po bëhen disa kërkime me qëllim arrestimin e disa anëtarëve të një grupi kriminelësh të përfshirë në trafikimin e drogës. Në deklaratë thuhet se policitë në Kroaci dhe Serbi gjithashtu kanë marrë pjesë në aksionin policor në fazat fillestare të tij, pa çuar ende njeri në pranga. Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Dacic konfirmoi se ka nisur dhe në Serbi ky operacion i gjerë për të shkatërruar organizatën e trafikut të hashashit. Dacic u tha mediave se dhe Serbia ka ofruar të dhënat e saj për trafikun e paligjshëm, por deri tani nuk ka asnjë arrestim në këtë territor. Ballkani konsiderohet si një zonë tranzite për trafikim të armëve dhe drogës në drejtim të Europës Perëndimore. Hetimi ka nisur pasi në kufirin mes Bosnjës dhe Serbisë është kapur një sasi me kanabis-sativa disa muaj më parë. Gjurmët që ndoqën hetuesit i çuan ata në një bashkëpunim të ngushtë personash në pesë shtetet ballkanike për trafikimin e lëndëve narkotike. Nga ana tjetër, policia bëri me dije se këtij rrjeti iu sekuestrua mëngjesin e djeshëm në Bosnje 17 kilogramë marijuanë, duke e çuar në 367 kilogramë sasinë e bllokuar deri më tani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›