Kapet drogë nga Lazarati, Mullaj: Sekuestro rreth 500 kg mariuanë

Rreth 9 canta me lëndë narkotike, të cilat mendohen të kenë rreth 500 kg drogë janë sekuestruar në aksin rrugor Jorgucat-Muzinë- Bictricë. Sekuestrimi i drogës së llojit mariuanë është realizuar falë një operacioni anti-drogë gjatë pasdites së sotme, në të cilën janë përfshirë të gjitha strukturat policore të qarkut te Gjirokastres për ndalimin e trafikut të lëndëve narkotike.
I kontaktuar në telefon zëdhënësi i policisë së Gjirokastrës, Gentian Mullaj, tha për Ora News se sasia e drogës u sekuestrua në një fugon me targa greke IEM 61 18, i cili drejtohej nga një shtetas dhe në të kishte edhe pasgjerë të tjerë, të cilët sapo kanë pikasur postoblloqet e policisë kanë braktisur menjëherë automjetin, duke u larguar në drejtim të pyllit.
Po sipas Mullait sasia e drogës vinte nga Lazarati dhe kishte si destinacion qytetin e Sarandës, ndërsa shtoi se vazhdon operacioni për kapjen e shtetasve, posedues të mariuanës. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar lënda narkotike, furgoni dhe prova te tjera materiale që shërbejnë për dokumentimin me prova ligjore të autorëve të këtij trafiku.
Ndërkaq po sot rreth orës 02.30 të mëngjesit, si rezultat i një tjetri operacioni policor Policia e Gjirokastrës ka sekuestruar 93 kilogramë mariuanë, ndërsa ka arrestuar një prej transportuesëve të lëndës narkotike, ndërsa janë shpallur në kërkim 3 persona të tjerë. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar lënda narkotike, disa sende personale të personave të dyshuar dhe prova te tjera materiale që shërbejnë për dokumentimin me prova ligjore të autorëve të këtij trafiku.