Kapet me 2 milion dollarë në kamionçinë një nga trafikantët më të mëdhenj në planet
Miguel Angel Trevino Morales, lideri i dhunshëm i kartelit Zeta në Meksikë, u arrestua të hënën në një nga operacionet më të mëdha kundër krimit të organizuar në vend.
Trevino Morales, 40 vjeç, njihet si një nga trafikantët më të mëdhenj në botë.
Ai u arrestua nga marinsat meksikanë, që pikasën një kamionçinë me të cilën udhëtonte ai. Në makinë kishte edhe 2 milion dollarë cash.
Makina u ndalua në një rrugë fshati nga një helikopter i ushtrisë dhe Morales u kap bashkë me një truprojë dhe një llogaritar.
Morales njihet edhe si Z-40.
Ai ishte pjesë e forcave speciale të policisë përpara se të dezertonte dhe të bashkohej me trafikantët e drogës.
Shumë shpejt ai u shkëput dhe krijoi kartelin e tij duke u përhapur në të gjithë Meksikën me një aktivitet që shtrihej nga trafiku i drogës, kërcënimet, rrëmbimet, trafiku i qenieve njerëzore, etj.
Karteli i tij, Zeta, ka kryer disa nga krimet më monstruoze, duke lënë qindra njerëz pa kokë buzë rrugëve, të varur në ura apo në mes të qytetit.
Trevino Morales vetë vëzhgonte se si karteli i tij ekzekutonte në vitin 2010 72 emigrantë klandestinë.
Një vit më vonë klani i tij vrau edhe 193 emigrantë dhe i futi në një varr masiv. Shkaku ishte se ata refuzonin që të punonin si transportues droge për të.
Vendin e tij në krye të kartelit do e zërë vëllai, Omari, që në fakt është më i dobët se Morales.
Një nga teknikat e preferuara të vrasjes nga Morales ishte ajo e futjes së njerëzve në fuçi të mbushura me benzinë dhe më pas u vihej flaka.
Në vitin 2010 ai është dënuar nga një gjykatë amerikane për trafik droge dhe armësh dhe qeveria amerikane pati deklaruar se jep 5 milion dollarë për këdo që jepte informacion që çonte në arrestimin e tij./ep



