E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet me ryshfet kreu i shpërndarjes së OSSH

Skuadra e antikrimit ekonomik prangosi me urdhër ndalimi edhe faturistin e OSSH-së, Gjovalin Prenga, si bashkëpunëtor me Ujkën për “shantazhe” duke shpërdoruar detyrën për qëllim marrjen e mitës nga bizneset 

TIRANE- Oficerët e antikrimit ekonomik të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë kanë kapur në zyrën e tij kryetarin e degës së shitjes së OSSH-së për Lezhën, Viktor Ujka, me 50 mijë lekë të reja ryshfet të marra pronarit të një punishteje mermeri. Skuadra e antikrimit ekonomik prangosi me urdhër ndalimi edhe faturistin e OSSH-së, Gjovalin Prenga, si bashkëpunëtor me Ujkën për “shantazhe” duke shpërdoruar detyrën për qëllim marrjen e mitës nga bizneset. Ngjarja është denoncuar pak ditë më parë dhe pronari i punishtes duket se ka qenë “i detyruar” të kërkojë ndihmën e policisë, pasi Prenga me Ujkën i kishin “mbirë” në derë dhe çdo muaj i kërkonin para në formë ryshfeti. Në fakt, ngjarja e ka zanafillën më shumë se dy vjet më parë, kur biznesmeni kishte lidhur energjinë elektrike për punishten e tij. Sipas rregullave, në krye të 45 ditëve nga lidhja e energjisë, KESH duhej të vendoste sahatin matës. Sipas policisë, në këtë moment faturisti dhe shefi i shpërndarjes i kanë ofruar një marrëveshje biznesmenit për të zbutur vlerën që ai do paguante për energjinë në atë kohë KESH-it. I kanë “rregulluar” një kontratë afrofe prej 36 mijë lekësh, vetëm se për nderin biznesmeni ishte i detyruar të paguante 50 mijë të tjera nën dorë. Vetë biznesmeni ka deklaruar se e vetmja herë që nuk ka paguar “haraçin” ka qenë koha kur pas një investigimi të kryer nga emisioni “Fiks Fare”, Ujka dhe Prenga janë pezulluar për t’u rikthyer sërish në detyrë. Si edhe para disa kohësh, ku si pasojë e vjedhjes së kabllit elektrik punishtja kishte mbetur pa energji elektrike. Madje është rasti i dytë që ka shkaktuar debatin me Ujkën dhe Prengën. Biznesmeni duke e motivuar me mungesën e punës, u kishte deklaruar se nuk kishte çfarë t’u jepte. Kurse pas disa ditësh i vjen një faturë prej 150 mijë lekësh të reja energji elektrike, si edhe njoftimi për të paguar për vitet 2007-2008-2009. Atëherë, sërish miqtë e vjetër i kanë ofruar marrëveshje që ta mbyllnin këtu punë për 80 mijë lekë të reja në formë ryshfeti. Biznesmeni ka paguar 30 mijë lekët në fillim dhe dje, në zyrën e Ujkës ka dorëzuar 50 mijë lekët e tjera. Në këtë moment ka ndërhyrë skuadra e antikrimit ekonomik, duke vënë në pranga Ujkën dhe më pas prangosur me urdhër ndalimi Prengën.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›