Kapet mushka me 50 kg, pronarët e saj i shpëtojnë policisë
Transportimi i drogës tashmë mund të bëhet edhe mushkë, për të mos rënë në sy punonjësve të rendit. Pikërisht nëpërmjet kësaj kafshe pune, dy persona ende të panjohur për policinë, kanë tentuar të kalojnë drejt Greqisë 50 kg marijuanë. Droga është kapur së bashku me mushkën, ndërkohë që dy autorët e këtij trafiku ia kanë mbathur në drejtim të paditur, pasi janë pikasur nga policia.
Ngjarja mësohet se ka ndodhur në orët e vona të së enjtes mbi Libohovë, në vendin e quajtur Revani. Sipas burimeve zyrtare, specialistët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, kishin rënë në gjurmët e këtij transporti ilegal të drogës në drejtim të Greqisë, pasi kishin siguruar informacione nga terreni në rrugë operative dhe ishin në pritje. Rreth orëve të mbrëmjes së të enjtes, policia kishte zënë pritë për të kapur sasinë narkotike si dhe transportuesit e saj. Ka qenë ora 21:00 e të enjtes, kur shërbimet policore konstatuan dy persona të cilët po transportonin dy çanta të mëdha shpine të ngarkuara në një kafshë dore (mushkë). Drejtimi i tyre ishte në pjesën juglindore të Libohovës, me synim mbërritjen në kufirin e gjelbër. Në momentin që shërbimet policore u kanë bërë thirrje dy të panjohurve për të ndaluar, këta të fundit duke përfituar nga errësira e plotë si dhe terreni mjaft i vështirë, braktisën mushkën së bashku me ngarkesën dhe u larguan me shpejtësi. Policia, pas këtij veprimi u vu në ndjekje të tyre por kapja ka qenë e pamundur për arsyet e lartpërmendura. Pas informacioneve të grumbulluara në rrugë operative dhe kryerjes së veprimeve fillestare hetimore, u arrit që të identifikohen autorët e kësaj ngjarjeje. Sipas zëdhënësit të Policisë së Gjirokastrës Gentijan Mullai, për arsye hetimi nuk bëhet i ditur identiteti i tyre. Ndërkaq, grupi hetimor konstatoi se mushkës i ishin ngarkuar dy çanta shpine të mëdha të mbushura me pako, ku brenda tyre kishte lëndë narkotike e llojit marijuanë me një peshë totale 50 kg. Policia e Gjirokastrës po vazhdon punën për kapjen dhe arrestimin e autorëve të këtij trafiku, ndërkohë që materialet i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme.