MSH, përpjekje për afrimin e popullatës pranë mjekut të familjes
Mjeku i familjes përbën atë që quhet porta e sistemit shëndetësor, ndaj Ministria e Shëndetësisë po bënë të gjitha përpjekjet për ta drejtuar popullatën tek ai. "Një mjek familje, nëse është i trajnuar mirë, nëse ka të gjitha kapacitetet e nevojshme, arrin të mbulojë rreth 90 % të problemeve shëndetësore në komunitetin ku shërben", u shprehe drejtori i Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, Gazmend Bejtja.
Aktualisht, Ministria e Shëndetësisë ka një program që gjithë mjekët e përgjithshëm të kalojnë në një proces trajnimi, me qëllim që, siç u shpreh Bejtja, ata të kenë të gjithë mundësitë që të ofrojnë kujdes cilësor shëndetësor. Ndër përpjekjet për të ofruar popullatën tek mjeku i familjes ai veçoi rregullimin e sistemit të referimit midis kujdesit parësor dhe specialistëve, në mënyrë që çdo pacient të mos anashkalojnë sistemin parësor. "Nëse anashkalon kujdesin parësor dhe shkon direkt tek specialisti, qytetari duhet të paguajë shumë herë më tepër", veçoi Bejtja. Për këtë arsye, qëllimisht bëhen përpjekje që të orientohen të gjithë tek mjeku i familjes, i cili njeh pacientin, sëmundshmërinë e tij, e ka ndjekur në kohë e vazhdimësi atë dhe arrin të bëjë plan-menaxhimin dhe ta orientojë pacientin aty ku duhet. Sipas z. Bejtja, nëse një person shkon tek specialisti pa u konsultuar më parë me mjekun e familjes, atëherë ai përfiton kujdes shëndetësor shpesh herë të mirë, por shpeshherë dhe të njëanshëm, sepse duke u fokusuar në një problem të vetëm anashkalon probleme të tjera të rëndësishme që mund të ketë. Një ndër masat e propozuara për mosshmangien e mjekut të familjes, është dhe rritja e tarifës për vizitën tek specialisti, që aktualisht është e vogël. "Në ligjin bazë parashikohet dhe kjo lëvizje, dekurajimi i popullatës për të mos shkuar tek specialisti, por të fokusohet tek mjeku i familjes, për të cilën kërkohet hartizmi i një sërë dokumentesh për të përcaktuar mënyrën si do të veprohet", sqaroi Bejtja. Ndërkohë, mjeku i familjes operon me paketën bazë të shërbimeve dhe çdo gjë bazohet në elementët e kontratës. Paketa e shërbimeve, përveçse orienton në mënyrë uniforme për të gjithë qendrat shëndetësore, krijon mundësinë e angazhimit të çdo punonjësi të kësaj qendre për realizimin konkret të detyrave që janë përshkruar në këtë dokument. Paketa përmban standardizimin minimal të infrastrukturës fizike, listën standarde të pajisjeve mjekësore, atë të barnave dhe materialeve të konsumit në qendrën shëndetësore, dokumentacionin tip të pasqyrimit të aktiviteteve shëndetësore të qendrës, etj.