E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet në Greqi gomonia me 833 kg drogë, vinte nga Shqipëria

Share

Një gomone, e cila dyshohet se ishte nisur nga Shqipëria me 833 kg hashash në bord, është sekuestruar mbrëmë nga policia greke.

Gomonia “Evangelistria” me një gjatësi rreth 12 metra, me 2 motorë me nga 350 kuaj fuqi secili është kapur si rezultat i bashkëpunimit të policive të tre shteteve, përkatësisht asaj shqiptare, greke dhe italiane, raporton Ora News.

Sipas policisë greke, droga ishte e ndarë në 585 pako, ndërsa është identifikuar edhe pronari i skafit dhe po vijojnë kërkimet për dy skafistët që po transportonin lëndën narkotike. Sipas informacioneve, pronari i gomones është një shtetas grek që ndodhet në burg për trafik droge, ndërsa dyshohet se skafistët janë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal droge greko-shqiptar.

Nga të dhënat e para mësohet se gomonia me lëndën narkotike dyshohet se është nisur nga gjiri i Lukovës në Sarandë dhe nëpërmjet Kanalit të Korfuzit po dërgohej në ishullin Qefalonia, për tu hedhur më pas në treg.  Mjeti lundrues u konstatua nga policia shqiptare, e cila ka njoftuar autoritetet policore italiane dhe greke. Policia greke është vënë në ndjekje të saj, por dy drejtuesit e gomones nuk i janë bindur urdhrave për të ndaluar. Ndjekja e gomones ka nisur nga jugu i Korfuzit, në ujërat midis ishullit Itaka e Qefalonia. Me të mbërritur në gjirin e Itakës, dy personat që drejtonin gomonen e kanë braktisur atë dhe janë arratisur me këmbë në ishull.

Trafikantët kanë mundur të hedhin një sasi të konsideruar të drogës së paketuar në det, dhe sipas autoriteteve greke sasia e saj shkon në 833 kg. Ndërkohë policia greke në bashkëpunim me atë shqiptare po vijon operacionin për kapjen e dy trafikantëve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›