Para heqjes së imunitetit gjykatësit bëjnë nderet e fundit, pafajësi në shumë çështje
Heqja e mburojës ligjore për gjyqtarët ka sjellë një pështjellim në sistemin e drejtësisë. Dhjetëra të akuzuar për korrupsion aktiv e pasiv, shpërdorim detyre e pastrim parash kanë fituar pafajësinë. Alarmi për këto vendime jepet nga prokuroria, e cila nga ana e saj ka pushuar dhe pezulluar dhjetëra vendime të diskutuara, ku të akuzuar kanë qenë zyrtarë të lartë të qeverisjes qendrore. Frika për pafajësi në gjykata ka sjellë këtë situatë, ku krimi i korrupsionit nuk po ndëshkohet. Situata po bëhet alarmante në disa gjykata në Shqipëri, të cilat kanë gjykuar dhjetëra të pandehur. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme pohojnë për gazetën Shqip se arsyeja e këtyre pafajësive ka lidhje me heqjen e imunitetit të gjyqtarëve. Aktualisht, gjyqtarët gëzojnë mburojë ligjore dhe ata nuk mund të hetohen. Policia dhe prokuroria nuk mund të ndërmarrë asnjë veprim ndaj gjyqtarëve, pasi këto prova nuk konsiderohen të ligjshme. Madje, edhe gjatë hetimeve të personave të tjerë (sekserëve), nëse rezulton i implikuar ndonjë gjyqtar, hetimet ndërpriten dhe duhet një leje nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë për vazhdimin e tyre. Akuza pohon se në rast se kapet një bisedë telefonike, ku i përfshirë është një gjyqtar, me kushtet aktuale, prova nuk mund të përdoret, pasi nuk është marrë leje më parë në KLD. Pikërisht kjo mburojë ka sjellë që korrupsioni në gjyqësor të mos ndëshkohet dhe në çastin kur po diskutohet heqja e imunitetit ndaj gjyqtarëve, vijnë dhjetëra raste me pafajësi. Akuza e ka të pamundur që të hetojë sekserët që veprojnë në dyert e gjykatave dhe në momentin që e ka kryer, procesi është dekonspiruar apo ka dështuar. Gjyqtari i hetuar është informuar për këtë hetim. Në kushtet aktuale, sekserët veprojnë të lirë dhe me mburojë. Madje ata mund të flasin lirisht edhe në telefon, mjafton që thirrësi të jetë gjyqtari. Në këtë rast, policia e ka të pamundur të kapë këtë bisedë, pasi po heton për një gjyqtar. Gazeta Shqip ka kryer një vëzhgim në disa gjykata në Shqipëri, të cilat kohët e fundit kanë shtuar vendimet e pafajësisë, por edhe uljet drastike të dënimeve të të akuzuarve për korrupsion, shpërdorim detyre dhe pastrim parash. Vendimet që po botojmë janë konsideruar nga prokuroria si problematike dhe janë diskutuar në akuzën qendrore. Një nga vendimet më të diskutuara ka qenë pafajësia për skandalin e pronave në Plazhin e Gjeneralit. Megjithëse është pranuar se ka një falsifikim dokumentesh, gjykata vendosi pafajësi për të gjithë të akuzuarit. Një tjetër dosje ishte edhe tenderi i uniformave për Policinë e Shtetit. Akuza kreu të gjitha veprimet hetimore, madje vëzhgoi dhe përgjoi të akuzuarit. Në fund, gjykata dha sërish pafajësi. Frika për pafajësi në gjykatë solli që prokuroria të pushojë hetimet ndaj ministrit aktual të Bujqësisë, Genc Ruli, i akuzuar për shpërdorim detyre gjatë kohës që drejtonte Ministrinë e Ekonomisë për minierën e kromit në Bulqizë. Shfryrje ka pasur edhe kontrabanda e naftës, e denoncuar nga Dritan Prifti, madje edhe procesi Meta-Prifti, ku gjykata dha pafajësi për ish-zv.kryeministrin. Një tjetër pafajësi është regjistruar për një të akuzuar për pastrim parash. Akuzohej në Greqi për shfrytëzim prostitucioni dhe paratë i kishte sjellë në vendin tonë, duke ndërtuar biznese. Edhe mjekët kanë përfituar nga kjo situatë. Pothuajse të gjithë të akuzuarit kanë fituar pafajësi, megjithëse në xhep u është kapur zarfi me ryshfetin.