Policia i jep goditje të rëndë prodhimit të hashashit në Lazarat, dëmton tubacionin e ujit
Bie morali i specialëve, prej dy muajsh në rrethim të Lazaratit
Ndonëse cikli i mbjelljes dhe rritjes se hashashit në fshatin Lazarat është në kulmin e tij, policia e Gjirokastër mjaftohet vetëm duke sekuestruar mjetet që nevojiten për kultivimin e bimës narkotike, raporton Vizion Plus.
E ndërsa policia nuk ka synuar më të ndërhyje në zemër të fshatit problematik, banorë të zonës po përdorin të gjitha mënyrat për të rritur hashashin.
Së fundmi dy prej tyre kishin lidhur pompat në lumin Drino në mënyrë të maskuar dhe kanë hapur një kanal dy km të gjatë për të vendosur tubat plastikë që do të shërbenin për vaditjen e bimës narkotike. Por kjo pune është dekonspiruar dhe është goditur nga policia.
Në aksionin e radhës u bllokuan dy pikat e furnizimit me ujë të autoboteve, që po transportoheshin ne Lazarat, dy pompa uji si dhe 5 makina të ngarkuar me cisterna plastike. Pas sekuestrimit janë shoqëruar ne polici edhe 9 shtetas e nga lagja Zinxhira, lagja Puntore si dhe 7 drejtues të mjeteve, ndaj të cilëve ka nisur procedimi penal për mos kallëzim krimi. Deri me tani aksioni i policisë ka mbetur vetëm ne sekuestrime të mjeteve dhe makinave, ndërkohë qe nuk ka asnjë te arrestuar nga banorët e fshatit për kultivim te hashashit.
Ndërsa sipas Shqip, burime nga forcat e policisë speciale që janë angazhuar në fushatën antikanabis në fshatin e Lazaratit, ndonëse çdo javë ndërrohen duke zëvendësuar njëri-tjetrin, flasin për rënie të moralit në rrethanat kur u duhet të angazhohen për të bllokuar disa automjete të amortizuara dhe të dala jashtë përdorimit që transportojnë ujë dhe pleh organik për parcelat me hashash, apo kur shoqërojnë grupe njerëzish fatkeq të papunësh që punojnë për të kryer shërbime në parcelat kundrejt të disa të ardhurave minimale përpiqen të sigurojnë bukën e gojës.
Qëndrojmë këtu në postbllok me ditë të tëra pa kryer ndonjë operacion special, ndërkohë që parcelat me hashash nuk janë shumë larg nesh. Ne bëjmë kontrolle rutinë këtu në rrugë, prej andej nga brenda fshatit qëllojnë me armë zjarri në ajër, thotë një pjesëtar i forcave speciale ardhur nga Tirana në ndihmë të policisë vendase.