E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet një prej furnizuesve kryesorë të heroinës

18/07/2009  Tabulatet që zbuluan shpërndarësin e drogës Shkëlqim Mici, operacioni vazhdon

Hetimet 6-mujore, ndjekja në teren dhe prangosja e 43-vjeçarit në Vaqar

Agjentët e policisë së kryeqytetit kanë lokalizuar dhe arrestuar një nga shpërndarësit e mëdhenj të heroinës në kryeqytet, si dhe në të njëjtën kohë kanë shpallur në kërkim Geinhald Hysenin. Personi i arrestuar është shtetasi Shkëlqim Mici, i cili për ekspertë e antidrogës njihet si personi që shpërndante sasi të konsiderueshme droge në qytetarë të ndryshëm të Tiranës. Mësohet se 43-vjeçari Mici i kishte shpëtuar disa herë arrestimit, por ditën e djeshme pas një koordinimi të suksesshëm të informacionit është mundësuar prangosja e tij në fshatin Vaqar të Tiranës. Burime zyrtare pranë policisë së Tiranës thanë se prej 6 muajsh agjentët kanë kryer një sërë veprimesh hetimore, në mënyrë që të lokalizonin dhe arrestonin të kërkuarin. Duke qenë se provat e mbledhura faktonin veprimtarinë e tij kriminale, policia ka organizuar operacionin e koduar me emrin “Qarku i mbyllur”, i cili u krye në vijimësi me operacionin e 11 marsit të këtij viti, ku në prangat e punonjësve të policisë ka rënë bashkëpunëtori i Micit, shtetasi Kreshnik Halilaj dhe u sekuestruar gjysmë kile heroinë. Zbulimi i 43-vjeçarit Mici mësohet të jetë kryer nga zbardhja e tabulateve telefonike të kolegut të tij Haliaj, pasi nga këqyrja e telefonit të këtij të fundit oficerët e policisë kanë konstatuar se ai kishte kryer thirrje të dendura në drejtim të Shkëlqim Micit, të cilat ngjallën hije dyshimi për prokurorët. Të ndodhur në këtë situatë ata kanë urdhëruar mbledhjen e informacioneve operative si dhe survejimin e plotë të shtetasit tashmë të arrestuar Shkëlqim Mici. Nga puna e zhvilluar në teren, agjentët kanë siguruar prova të mjaftueshme për të ngritur akuzën ndaj shpërndarësit të drogës si dhe ndaj bashkëpunëtorit tjetër shtetasit Geinhald Hyseni. Pas analizimit të fakteve Prokuroria e Tiranës i ka kërkuar më 16 korrik gjykatës, që kjo e fundit të pranonte kërkesën e saj për vendosjen e masës së “arrestit në burg” për shtetasin 43-vjeçar Mici dhe Hysenit. Menjëherë pas pranimit të kërkesës vendimi është ekzekutuar nga policia, e cila ka mundësuar arrestimin e njeriut që kryente shpërndarjen e sasive të konsiderueshme të drogës në kryeqytet. Gjatë operacionit policor, në momentin e ndërhyrjes, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti tip “Ford”, me targë TR 6244 H, një peshore elektronike, dy celularë dhe disa karta telefoni. Ndërkohë që aktualisht është shpallur në kërkim bashkëpunëtori tjetër, i cili sipas policisë pritet që në ditët në vazhdim të arrestohet. Ndaj tij Prokuroria ngriti akuzën e “prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”.

Dyshimet për trafik

Hetimet për zbulimin plotësisht të rrjetit janë intensifikuar ndjeshëm, pasi grupi hetimor që është ngritur për këtë çështje thotë se veprimtaria kriminale e rrjetit nuk është vetëm shpërndarja, por edhe trafiku ndërkombëtar i drogës. Veprimet hetimore kanë provuar se heroina në shumicën e rasteve është blerë në Maqedoni dhe më pas është trafikuar për në Shqipëri nga Kosova si dhe nga pika e kalimit kufitar të Qafë-Thanës. Prokuroria ka dokumentuar disa raste ku të arrestuarit kryenin shitjen e heroinës në disa persona që në kryeqytet janë shumë të njohur, por për arsye hetimore emri i tyre nuk bëhet i ditur.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›