E Shtunë, 31 Tetor 2026

Degët që rrezikojnë të mbyllen do bashkohen me të tjera

18/07/2009  Universiteti i Elbasanit “ok” degëve të ndërmjetme, zbardhet strategjia

Universiteti i Elbasanit pritet të nisë reformimin e degëve, të cilat ofron për maturantët. Kjo si për shkurtimin e degëve më pak të preferuara, por dhe zgjerimin për degët që kanë më shumë kërkesa. Një tjetër risi do të jetë dhe ofrimi i diplomave të ndërmjetme. Kjo sipas rektorit do të ndërmerret për të qenë sa më pranë tregut, por dhe kërkesave të maturantëve.

Rishikimi

Rektorati i “Aleksandër Xhuvanit” do të parashtrojë një kërkesë me programe konkrete për degë të ndërmjetme që ndërthurin profile për të cilat ka më shumë kërkesa. Në qendër të vëmendjes së këtij projekti janë kryesisht degët e gjuhëve të huaja, të cilat kanë pasur një rënie drastike të numrit të studentëve që regjistrohen. Rektori i Universitetit të Elbasanit, Liman Varoshi, thotë se kjo është një zgjidhje për t’ju përshtatur tregut të punës duke e hapur universitetin drejt parametrave që kërkon koha. “Në disa programe studimi ne nuk kemi më atë fluks sikurse e kemi pasur më parë. Degë të tilla ne mund të përmendim programin e studimit të Gjermanishtes, të Frëngjishtes, të Italishtes, ndonëse nuk është në të tilla parametra ndaj për t’i dalë përpara një procesi të tillë rektorati i UE-s është duke punuar dhe duke hartuar strategjinë më efikase në këtë drejtim. Kështu që qysh në vitin e ardhshëm akademik ne do të kalojmë në kërkesën dhe këtë do t’ia parashtrojmë organeve kompetente qoftë Ministrisë së Arsimit, ashtu edhe Agjencisë së Akreditimit për të kaluar në degët dyshe: Histori-Gjermanisht, Gjuhë Letërsi Shqipe-Frëngjisht, Trashëgimi Kulturore-Anglisht ose Biznes-Frëngjisht e të tjera që i kërkon tregu. Fillimisht të jetë pjesë e diplomës së nivelit të parë për të kaluar më pas edhe në Master. Që të shkojë sinkron formimi universitar me dijet në këtë fushë. Vetëm kështu ne mund të përballojmë me sukses sfidat që na ofrojnë si tregu lokal, ashtu edhe tregu global.

Diplomat

Por Universiteti i Elbasanit pritet të iniciojë edhe kurse studimi jo të arsimit të lartë, por një specializim në fusha ku kërkohen më tepër specialistë. Varoshi thotë se do ketë edhe diploma të ndërmjetme. “Ne kemi kohë që kemi krijuar strategjinë për hapjen e Universitetit dhe krijimin e të ashtuquajturave programe të ndërmjetme ose diploma të ndërmjetme, të cilat mund të mos jenë të arsimit të lartë mund të zgjasin edhe dy vjet, por duhet t’i përshtaten nevojave që ka tregu rajonal në këtë drejtim. Ne do t’i japim universitetit drejtimin e diplomave të ndërmjetme. Po kështu sipas rektorit do të ketë edhe ndryshime për sa i përket planeve mësimore, të cilat do të jenë më fleksibël. “Kemi bërë shumë kujdes që diplomat të karakterizohen nga tri principe fondamentale së pari: planet të hartohen mbi principin e krahasueshmërisë me universitetet e tjera si brenda vendit, ashtu edhe jashtë vendit. Vetëm kështu mund të mundësohet lëvizja e lirë konformë Kartës së Bolonjës. Në të njëjtën kohë do të ruajmë koherencën e këtyre planeve mësimore dhe mbi të gjitha do të ruajmë një princip që ka të bëjë me fleksibilitetin duke reflektuar edhe ndryshimet e tregut”. Universiteti i Elbasanit me 22 degë dhe me një profil të konsoliduar në fushën e mësues kërkon të dalë nga kjo guaskë për shkak të mbingopjes së tregut, duke synuar fusha të reja që i japin mundësinë studentëve të gjejnë punë pas përfundimit të arsimit të lartë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›