E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet, rrahu prapë ish-gruan

22/12/2008  Gjykata e kishte në mbrojtje

TIRANË- Ndonëse gjykata kishte vendosur që ai të mos e rrihte më ish-gruan sepse në të kundërt do të arrestohej, 45-vjeçari nuk mundi t’i rezistonte dot dëshirës për ta qëlluar me grushte dhe shkelma ish-bashkëshorten. Nga burimet zyrtare të policisë mësohet se nga shërbimet e komisariatit të policisë Kavajë u krye arrestimi në flagrancë i shtetasit Rifat Musta, 45 vjeç, lindur dhe banues në Kavajë. Arrestimi i tij u bë pasi dje në orën 11.00 dyshohet se ka goditur ish-bashkëshorten e tij, duke mos zbatuar kështu Vendimin e Gjykatës nr. 641, të datës 19.09.2008, vendim i cili ka lëshuar urdhër-mbrojtje për këtë shtetase. U kryen veprimet procedurale. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprën penale të “Pengimit të ekzekutimit të vendimit të gjykatës” dhe “Plagosje e lehtë me dashje” parashikuar nga nenet 320 e 89 të Kodit Penal. Fqinjët, pasi kishin dëgjuar zhurmë dhe ulërima në shtëpi lajmëruan policinë në rrugë telefonike, teksa uniformat blu mbërritën menjëherë në vendngjarje. Aktualisht i arrestuari ndodhet në qelitë e paraburgimit dhe i ka thënë policisë se ishte në gjendje të dehur dhe nuk do e përsëriste më. Gjendja e dhunës në familje aktualisht në Shqipëri është tepër alarmante. Në një seminar kombëtar të pak ditëve më parë drejtues të policisë thanë se për vitin 2008 ishin regjistruar 615 kallëzime të grave, të cilat denonconin burrat e tyre për dhunë fizike. Sakaq, mendohet se ky numër është më i madh, por gratë kanë ende frikë të bëjnë denoncimet. Por nuk janë vetëm gratë që dhunohen. Para pak ditësh në Kamzë u arrestua një grua sepse rrahu burrin e saj dhe fëmijët, teksa policia vendosi që ajo të mos u afrohej më atyre më afër se një distancë prej 300 metra. Herë pas here janë organizuar plane masash për ta ulur këtë fenomen, por asgjë konkrete nuk është zbatuar, ndonëse Qeveria ka miratuar edhe disa shtesa në Kodin Penal për të ashpërsuar dënimet ndaj personave që ushtrojnë dhunë fizike dhe psikologjike në familje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›